Greva e punëtoreve teknikë të Kuvendit të Kosovës më 16.09.2024. Foto:KALLXOc.com
Punëtoret që mirëmbajnë Kuvendin e Kosovës grevojnë për rritje të pagave
Që nga ora 07:00 e mëngjesit, punëtoret e Kuvendit të Kosovës që kujdesen për mirëmbajtjen dhe pastrimin e sallave të institucionit qendror dhe hapësirat tjera, kanë rinisur grevën për rritjen e pagave.
“Me 275 euro, qysh me i mbajtë na fëmijët” – shprehën zhgënjimin 14 gratë e moshës së mesme që po grevojnë para hyrjes së institucionit.
Përfaqësuesja e punëtoreve, Nazife Krasniqi tha se 275 euro janë të pamjaftueshme për një person e le më për ato që mbajnë familje.
“275 euro vetëm sallën plenare me mirëmbajtë e me mbajtë në rregull janë pak 275 euro. E jo që ka komisione që janë ka 10 në ditë e administrata e hapësira tjera. Është e papërballueshme për neve”- shprehu ajo brengën e saj për KALLXO.com.
Të njëjtat protestuan edhe më 09.07.2024, megjithatë sipas tyre, kërkesat hasën në vesh të shurdhër.
Krasniqi tha që edhe pse kanë grevuar në korrik, por operatori ekonomik Schafberger, as që është interesuar për to.
“Kurrë hiç hiq asnjëherë as nuk u ardhë operatori me i dëgju hallet tona. Kemi shku kemi folë me drejtorin e Administratës dhe Sekretarin. Ata kanë thanë që ka mundësi me ju rritë paga, por pagën ua rritë operatori ekonomik se është publiko-privat. Operatori nuk përgjigjet”- tha Krasniqi.
Përfaqësuesja e punëtoreve tha që ato në Kuvendin e Kosovës punojnë që 20 vite, ndërkaq me këtë kompani që shtatë vite e gjysmë.
“Ka këtu punëtore që i ka 3-4 fëmijë edhe si dalin për idare. Nuk munden me ia dalë se paga e ulët”- tha ajo.
“Kurrë nuk na u ka rritë paga, veç njeherë 20 euro”- shtoi ajo, duke thënë se kanë plan të protestojnë derisa t’i arrijnë qëllimet e tyre.
Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës kishin protestuar në korrik që t’i rritet paga në rreth 500 euro.
Pagë mujore vetëm 275 euro, protestojnë punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës