Klinaku: Specialja ka filluar bastisje prapë në shtëpinë e Behar Berishës
Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njoftuar se janë duke u kryer bastisje në shtëpinë e Behar Berishës.
Bastisja, sipas Klinakut, është duke u kryer nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Berisha ka qenë pjesë e UÇK-së gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë.
Sipas Klinakut, Behar Berisha është bashkëluftëtar i Salih Mustafës, i njohur me nofkën e luftës “Cali”, i cili po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale. Ish-komandanti “Cali” në dhjetor të vitit 2022 u dënua me 26 vjet burgim, ndërsa rasti i tij aktualisht është duke u trajtuar në Apel, dhe vendimi do të shpallet pas një jave, më 14 dhjetor.
“Sapo u informova se specialja ka filluar sërish bastisje në shtëpinë e bashkëluftëtarit të Calit, Behar Berisha” – tha Klinaku.
Edhe në shtator shtëpia e Behar Berishës kishte qenë cak i bastisjeve.
Për rastin e sotëm, KALLXO.com ka kërkuar detaje nga zëdhënësi i ZPS-së, Christopher Bennet, mirëpo deri më tani nuk është pranuar ndonjë përgjigje.