Këto pritet të jenë masat e reja të Qeverisë për parandalimin e COVID-19

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka bërë të ditur se në takimin e sotëm me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë dalë me masa të reja pas rritjes së numrit të të  infektuarve me COVID-19.

Sipas tyre, masat do të  hyjnë në fuqi nga 20 gushti dhe të njëjtat janë: Sallat e dasmave të punojnë deri në orën 22:30 me kapacitet të klientëve 150 të pranishëm; klubet e natës dhe diskotekat mbyllen deri më datë 01.09.2021; të gjithë restorantet ditore, kafiteritë etj. punojnë deri në orën 22:30; nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientët në ambiente hoteliere-gastronomike.

Të martën është shënuar numri rekord i rasteve me COVID-19 që prej fillimit të pandemisë në mars të vitit të kaluar.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 5 persona të infektuar me COVID-19 kanë vdekur,  ndërsa 1 mijë e 765 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 nga 9 mijë e 581 testime të bëra gjatë 24 orëve të fundit.

Pas situatës së krijuar me coronavirusin, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, do të mbajë konferencë për media sonte në ora 19:30 për  situatën epidemiologjike.