KESCO: Vetëm 7% e konsumatorëve u prekën nga tarifat e reja për muajin shkurt

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka deklaruar sot se rreth 93 % e konsumatorëve për faturat e shkurtit, kanë paguar vetëm me tarifat e vjetra, pra, sipas tyre, nuk janë afektuar fare me tarifat e reja të energjisë elektrike.

“Kjo ka ndodhur pasi KESCO me miratim të ZRRE-së, në faturat e muajit shkurt, më datën 9 shkurt njehsimin e ka filluar nga 0kWh dhe kjo ka bërë që 93% e konsumatorëve të mos preken nga çmimet e reja, sepse konsumatorët nuk e kanë tejkaluar 800kWh, që është njehsuar me tarifat e vjetra, të para datës 9 shkurt”, thuhet në komunikatën e KESCO-së.

KESCO ka bërë thirrje për kujdes maksimal në kontrollimin e shpenzimit pasi tashmë ka filluar periudha kur janë në fuqi tarifat e reja, me çmime të reja.

“Çmimet e energjisë elektrike janë rritur ndjeshëm si pasojë e rritjes së tyre në berzat ndërkombëtare, ku në fund të vitit u shënua deri në dhjetëfishin e tyre, krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve paraprake. Nga këto nuk mundi të shpëtojë as Kosova, pasi është vend importues, ku një sasi e konsiderueshme e energjisë elektrike duhet të sigurohet nga importi gjatë periudhës së dimrit, kur edhe kërkesa në Evropë është më e larta dhe rrjedhimisht edhe çmimi”, thuhet tutje në kumtesë.

Këtë LINK mund të informoheni për kalkulimin e llogaritjes së faturës pas rritjes së çmimit të rrymës.

KESCO më 11 shkurt 2022 ka dorëzuar propozimin në ZRRE që vendimi për hyrjen në fuqi të tarifave të reja të mos zbatohet nga data 9 Shkurt 2022, por të nisë së zbatuari në ciklin e ardhshëm të faturimit.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur me datën 8 shkurt që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Subvencionimi i biznesit nga xhepi i qytetarit: Si të parandalohet shtrenjtimi i rrymës?