Kalkulatori për llogaritjen e faturës pas rritjes së çmimit të rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar kalkulatorin për llogaritjen e faturës, në të cilin qytetarët mund të ngarkojnë të dhënat e faturës së fundit të energjisë elektrike dhe të llogarisin se sa do të jetë vlera e faturës me tarifat e reja të propozuara nga ZRrE.

Te kolonat e këtij kalkulatori për konsumin, qytetarët duhet të vendosin kilovatët që shpenzojnë gjatë ditës në njërën rubrikë (A1) dhe ato gjatë natës në rubrikën tjetër (A2), dhe kalkulatori automatikisht ua tregon se sa do të paguajë qytetari.

Këto të dhëna qytetarët mund t’i marrin në faturën që iu shkon nëpër shtëpi nga KEDS-i. Te pjesa ku shkruan konsumi mujor, janë rubrikat A1 (shpenzimi i rrymës gjatë ditës) dhe A2 (shpenzimi i rrymës gjatë natës).

Çmimi final të cilin do ta paguajë qytetari gjendet te rubrika “Shuma e faturës”.



Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovat energji elektrike në muaj.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi që nga nesër, më 9 shkurt 2022.