Karaçevë - 18.09.2020 FOTO KALLLXO.com

Kërkohet vazhdimi i paraburgimit për tetë policë të arrestuar në Karaçevë

Gjithsej 12 zyrtarë policorë janë arrestuar në aksionin kundër kontrabandës e lojërave të fatit në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Nga 12 zyrtarët policorë, katër janë liruar pasi që kanë pranuar fajësinë dhe të njëjtit kanë pranuar të bashkëpunojnë me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ndërsa për tetë zyrtarë policorë është kërkuar vazhdimi i masës së paraburgimit pasi që të njëjtit ende nuk janë intervistuar.

Prokurorja Rozelida Manastiri, për KALLXO.com ka thënë se kërkesën e ka bërë gjatë ditës së sotme pasi që afati i paraburgimit për tetë zyrtarët policor është deri më  15 dhjetor, ndërsa të njëjtit ende nuk janë intervistuar dhe nuk dihet nëse do të pranojnë të bashkëpunojnë me prokurorinë.

Përvec kërkesës për vazhdim të paraburgimit për policët, gjatë ditës së sotme është bërë edhe arrestimi i pesë personave katër nga ta dyshohet se janë pronarë të kazinove në Karaçevë ndërsa një dyshohet për kontrabandë.

KALLXO.com kishte raportuar për rolin e zyrtarëve policorë në zonën e cila konsiderohej e paprekshme Karaçevën e cila gjendet vetëm pak kilometra larg kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Dosja e Prokurorisë në Gjilan shpjegon rolin e 12 zyrtarëve policorë, të cilët u arrestuan në aksionin e së premtes në fshatin Karaçevë, pak kilometra larg pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Njëri nga 12 zyrtarët policorë të arrestuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Karaçevë po dyshohet për dy vepra penale, kontrabandim me mallra si dhe për organizim te skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm ndërsa zyrtarët e tjerë policorë po dyshohen për veprën penale kontrabandim.

Zyrtarët policorë, H.K., S.K., I.M., F.K., A.K., F. Z., R.Th., S.G., S. N., S.M. dhe Z.A. sipas kërkesës për paraburgim të Prokurorisë po dyshohen për ndihmë në kontrabandë.

Të njëjtit zyrtarë policorë po dyshohen se në mënyrë të vazhdueshme, kanë ndihmuar e fshehur si dhe nuk kanë penguar kontrabandimin nga ana e të pandehurve të tjerë (qytetarë të arrestuar të premten) të cilët duke kaluar vijën kufitare, kanë shmangur kontrollin doganor përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandim të mallrave të ndryshme.

14 nga qytetarët që u arrestuan në aksionin e së premtes në Karaçevë po dyshohen për kontrabandim me mallra ndërsa Y.F., Rr. G., N.Ç. Dhe L.G. po dyshohen për organizim të lojërave të fatit apo bixhoz të kundërligjshëm.