Stacioni policor në Leposaviq. Foto: Adelinë Ahemti/KALLXO.com

Stacioni policor në Leposaviq me dyer të mbyllura

Stacionet policore në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë Veriore e Zubin Potok tashmë janë duke funksionuar me zëvendësime të zyrtarëve policorë nga rajonet, kryesisht Vushtrrisë, Skenderajt e Mitrovicë së Jugut.

Me orare të zgjatura, zyrtarët policorë janë udhëzuar që të mos qëndrojnë jashtë stacioneve policore ku po qëndrojnë.

KALLXO.com gjatë ditës ka vizituar stacionet policore në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Në oborre të këtyre stacioneve rrallë herë janë parë zyrtarët policorë.

Përveç atyre në Zubin Potok, për shkak të hapësirës së ngushtë, është parë lëvizje e zyrtarëve policorë, të dy prej tyre më pak se 10, sa janë gjithsej në ndërrimin që aktualisht janë duke e mbajtur.

Në Leposaviq për sa qëndroi ekipi i KALLXO.com nuk është parë ndonjë lëvizje, ani pse nga informacionet që kemi pranuar, brenda qëndron stafi policor.

Dyert e stacionit policor në Leposaviq janë të mbyllura, ndërsa brenda janë edhe veturat e policëve .

Që nga pasditja e së hënës stacionet policore në komunat me shumicë serbe janë duke funksionuar me zëvendësime për shkak të dorëheqjes së policëve të nacionalitetit serb.

Dorëheqja e zyrtarëve policorë, deputetëve të Listës Serbe, gjyqtarëve e prokurorëve, asamblistëve të katër komunave me shumicë serbe erdhi pas suspendimit të drejtorit të policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Gjuriq sot është dekoruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.