Policia e Kosovës: Kapacitetet e zyrtarëve policorë në veri do të rriten gradualisht

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me numrin e zyrtarëve policorë të komunitetit serb, që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në veri të vendit.

Të njëjtët kanë thënë se numri i këtyre dorëheqjeve ka arritur deri në 578 punonjës.

Policët e dorëhequr u tha se janë të uniformuar dhe civilë nga rendi publik, kufiri dhe nga hetimet.

“Numri i njoftimeve për dorëheqje të punonjësve të uniformuar dhe të atyre civil nga rendi publik, kufiri dhe hetimet, të cilët deri më tani i kanë dërguar njoftimet në rajonet dhe stacionet policore ka arritur deri në 578 punonjës” – ka thënë Policia.

Tutje u tha se disa prej këtyre punonjësve janë në proces të dorëzimit të pajisjeve, ndërsa disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara.

“Policia e Kosovës ashtu siç e ka potencuar edhe më parë, ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara në veri” – thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim të Policisë, u tha se kapacitetet e zyrtarëve policorë në veri do të rriten gradualisht.

“Të gjitha veprimet policore do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve, ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar” – ka thënë Policia.

Lidhur me dorëheqjen e policëve ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të mbajtur bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai theksoi se nga 578 dorëheqjet e ofruara, 461 janë nga policët e rendit, 107 nga Policia kufitare dhe 10 nga hetuesia.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.