Zyrtarët policor në Zveçan që ofruan dorëheqje, mblidhen për t’i dorëzuar armët. Foto: Adelina Ahemti/KALLXO.com

Policët e dorëhequr serbë dorëzojnë armët në Stacionin e Policisë në Zveçan - FOTO

Zyrtarët policorë serbë që shërbyen në Zveçan, e që kanë dhënë dorëheqje, janë mbledhur sot pranë stacionit të Policisë së Kosovës në këtë komunë me qëllim të dorëzimit të armëve të tyre.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar pranë këtij stacioni ku edhe janë parë ish-zyrtarët policorë.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletë-qortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e nga gjyqësori.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletë-dorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Zyrtarët policor në Zveçan që ofruan dorëheqje, mblidhen për t’i dorëzuar armët. Foto: Adelina Ahemti/KALLXO.com
Zyrtarët policor në Zveçan që ofruan dorëheqje, mblidhen për t’i dorëzuar armët. Foto: Adelina Ahemti/KALLXO.com
Zyrtarët policor në Zveçan që ofruan dorëheqje, mblidhen për t’i dorëzuar armët. Foto: Adelina Ahemti/KALLXO.com

Policët e dorëhequr serbë dorëzojnë armët në Stacionin e Policisë në Mitrovicën e Veriut