Arkiv

Kërkesat e KELKOS-it për leje të hidrocentraleve, nesër mblidhet ZRrE

Zyra e Rregullatorit për Energji nesër në mbledhjen e saj të radhës pritet të shqyrtojë aplikacionin e kompanisë “Kelkos” për prodhimin e energjisë elektrike në Hidorocentralin e Deçanit.

Kelkos-it iu kishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike më 14 tetor në tre hidrocentrale tek Gryka e Deçanit.

Drejtori i ZRrE-së Petrit Pepaj kishte  thënë se do të mbetet deri në rilicensimin e kësaj kompanie.

Mbledhja e cila do të mbahet nesër nga ora 9:30 do të ketë 9 pika të rendit të ditës.

 

 

Kelkos ka katër hidrocentrale operative në Deçan, përkatësisht hidrocentralet ‘Lumbardhi’, ‘Belaja’, ‘Deçani’ dhe ‘Lumbardhi II’, megjithëse vetëm hidrocentrali i Lumbardhit është treguar i pajisur me licencë të operimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë.

Organizata të ndryshme për mbrojtjen e ambientit dhe shoqëria civile kishin reaguar për mënyrën se si kompania Kelkos Energy zhvillon punimet në hidrocentralet në Grykën e Deçanit.

Aktivistja nga organizata jo-qeveritare ‘Pishtarët’ Shpresa Loshaj,  ka treguar se sa i ka degraduar kompania Bjeshkët e Deçanit.

Loshaj tha se punimet e kompanisë në hidrocentralet për prodhimin e energjisë elektrike e kanë degraduar natyrën e Bjeshkëve të Deçanit.

“Në Grykën e Deçanit është një tragjedi shumë e madhe. Duke filluar nga ‘Zalli i Rupës’ ku e kanë tharë lumin. Tash edhe më shumë është tharë lumi, janë hap vrimat. Nëse shihet prej së larti duket si shkretëtirë. Në stanet që janë të vendosura aty, njerëzit nuk kanë si t’i sjellin kafshët e tyre. Aty ku i kanë ndërtuar hidrocentralet është komplet degradim, rrugët i kanë ndërruar aty ku ju ka dukur më lehtë. Urat që kanë pas të i rregullojnë janë në shumë gjendje të keqe”, tha Loshaj.