Shpresa Loshaj

Aktivistja Shpresa Loshaj tregon se si e ka degraduar ‘KELKOS’ Grykën e Deçanit - VIDEO

Aktivistja nga organizata jo-qeveritare ‘Pishtarët’ Shpresa Loshaj, sot në debat përballë Jeta Xharrës ka treguar se sa i ka degraduar kompania KELKOS Bjeshkët e Deçanit.

Loshaj tha se punimet e kompanisë në hidrocentralet për prodhimin e energjisë elektrike e kanë degraduar natyrën e Bjeshkëve të Deçanit.

“Në Grykën e Deçanit është një tragjedi shumë e madhe. Duke filluar nga ‘Zalli i Rupës’ ku e kanë tharë lumin. Tash edhe më shumë është tharë lumi, janë hap vrimat. Nëse shihet prej së larti duket si shkretëtirë. Në stanet që janë të vendosura aty, njerëzit nuk kanë si t’i sjellin kafshët e tyre. Aty ku i kanë ndërtuar hidrocentralet është komplet degradim, rrugët i kanë ndërruar aty ku ju ka dukur më lehtë. Urat që kanë pas të i rregullojnë janë në shumë gjendje të keqe”, tha Loshaj.

Ajo tha se është çudi se si ende nuk ka përfunduar me fatalitet dikush gjatë kalimit në atë zonë.

“Është çudi që ende dikush nuk ka vdekur aty. Ajo pjesë nuk ka qenë shumë e frekuentuar prej qytetarëve, më shumë frekuentohej nga bjeshkatarët. Prej që kanë ardhur KELKOS-i e kanë degraduar komplet atë pjesë”, tha Loshaj.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë dje ka ndaluar prodhimin e energjisë nga kompania austriake ‘KELKOS’ në tri hidrocentrale në Grykën e Deçanit.

Drejtori i ZRrE-së Petrit Pepaj dje tha se kjo ndalesë do të mbetet deri në ri-licensimin e kompanive.

Vendimi është marrë në ditën kur kësaj kompanie i ka skaduar licenca për prodhim të energjisë.

Gjithashtu në këtë mbledhje është vendosur shkyçja nga operimi i kompanisë ‘KELKOS’ e cila deri tash ishte duke zhvilluar punimet.