Mbushet me ujë lumi në Grykën e Deçanit (VIDEO)

Niveli i ujit në Grykën e Deçanit ka filluar të rritet për shkak të reshjeve të shiut të ditëve të fundit.

Më 14 tetor, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka ndaluar prodhimin e energjisë nga kompania Kelkos në tri hidrocentrale në Grykën e Deçanit.

Drejtori i ZRrE-së Petrit Pepaj ka thënë se kjo ndalesë do të mbetet deri në rilicencimin e kompanive.

Vendimi është marrë në ditën kur kësaj kompanie i ka skaduar licenca për prodhim të enegjisë.

Më poshtë mund të shihni pamjet e rrjedhës së lumit në Grykën e Deçanit të cilat janë realizuar gjatë ditës së sotme.

Në mbledhjen e ZRrE-së po ashtu është vendosur shkyçja nga operimi i kompanisë KELKOS e cila deri tash ishte duke zhvilluar punimet.

“ ZRrE ka ndaluar prodhimin e rrymës në tri hidrocentrale, në Deçan, Belaja dhe Lumbardhi 2, në mungesë të dokumenteve, nga ministria e linjës Kelkos është shkyqyr nga operimi. Asnjë aktivitet nuk mund të bëhet në mungesë të licencës nga ZRrE përndryshe do të penalizohet”, tha Pepaj.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka mbajtur mbledhjen pa praninë e mediave, me arsyetimin e pandemisë COVID-19.  Njëra nga pikat e rendit të ditës e cila është shqyrtuar ka qenë edhe licencimi i ndërmarrjes KELKOS në veprimtarinë e prodhimit të energjisë në Bjeshkën e Deçanit.

Drejtoresha e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Jeta Xharra, nuk është lejuar ta ndjekë këtë mbledhje e madje nuk e kanë pranuar as propozimin e saj që të qëndrojë vetëm kamera, pa asnjë person.

Në emisionin “Kelkosi në Deçan”, aktivistja nga organizata jo-qeveritare ‘Pishtarët’, Shpresa Loshaj ka thënë se punimet e kompanisë në hidrocentralet për prodhimin e energjisë elektrike e kanë degraduar natyrën e Bjeshkëve të Deçanit.

“Në Grykën e Deçanit është një tragjedi shumë e madhe. Duke filluar nga ‘Zalli i Rupës’ ku e kanë tharë lumin. Tash edhe më shumë është tharë lumi, janë hap vrimat. Nëse shihet prej së larti duket si shkretëtirë. Në stanet që janë të vendosura aty, njerëzit nuk kanë si t’i sjellin kafshët e tyre. Aty ku i kanë ndërtuar hidrocentralet është komplet degradim, rrugët i kanë ndërruar aty ku ju ka dukur më lehtë. Urat që kanë pas të i rregullojnë janë në shumë gjendje të keqe”, tha Loshaj.

Për të qenë pjesë e emisionit “Kelkosi në Deçan” ishte ftuar edhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. Por të njëjtit nuk kanë qenë pjesë e emisionit për shkak të angazhimeve.

Përmes një përgjigje, Ministria e Ekonomisë dhe Ambentit ka thënë se nuk ka lëshuar leje mjedisore për kompaninë KELKOS dhe se nuk mund të lëshojnë leje pa u plotësuar kushtet e parapara me ligj.

Të ftuar në debat kanë qenë edhe përfaqësuesit e KELKOS-it por ata nuk kanë ardhur.

Më poshtë gjeni emisionin e plotë “Kelkosi në Deçan”.

Kelkos ka katër hidrocentrale operative në Deçan, përkatësisht hidrocentralet ‘Lumbardhi’, ‘Belaja’, ‘Deçani’ dhe ‘Lumbardhi II’, megjithëse vetëm hidrocentrali i Lumbardhit është treguar i pajisur me licencë të operimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë.

BIRN ka zbuluar se Gjykata e Prishtinës vjetërsoi njërën nga çështjet e ngritura ndaj kësaj kompanie.

Me 18 korrik 2016 Inspektorati i Komunës së Deçanit kishte iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtësve ndaj kompanisë pasi kishte konstatuar dëme ambientale në bjeshkën e Deçanit.

Raporti i siguruar nga BIRN tregon se Inspektorati kishte konstatuar se afro 7 kilometra përgjatë Lumbardhit të Deçanit rrjedha e këtij lumi ishte ndërprerë totalisht si pasojë e kalimit të ujit në gypat furnizues të turbinave për prodhimin e rrymës elektrike.

Sipas këtij raporti inspektorët kishin parë në teren se portat e turbinave kanë qenë të mbyllura dhe vetëm disa pjesë kanë qenë të furnizuara me ujë nga rrjedhat anësore, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për ruajtjen e diversitetit të florës dhe faunës.

Ndërsa në raportin e Inspektorëve komunal thuhet se në marrëveshjen në mes të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe “KELKOS KOMPANY SHPK”, ishte paraparë që 30 për qind e minimumit të rrjedhjes së ujit të qëndron në shtratin e lumit e jo të mbetej lumi pa ujë. Dosja e inspektoratit ishte bartur në gjykatë me kërkesën që kompania të ndëshkohej me 50 deri në 100 mijë euro.