Shkatërrimi i Lumbardhit në Deçan, qytetari rrëfen për sfidat për mbrojtjen e lumit

Adem Lushaj nga Shoqata e Intelektualëve të Deçanit në Samitin për Lumenjtë që po mbahet në Prishtinë, ka rrëfyer sfidat e banorëve të Deçanit për të mbrojtur Lumbardhin dhe resurset natyrore të Grykës së Deçanit.

Aktivisti nga kjo komunë, Adem Lushaj ka thënë se Deçani ka resurse mbitokësore siç janë pyjet dhe malet si dhe ato nëntokësore siç janë ujërat, Por hidrocentralet e ndërtuara pa kritere, Loshaj ka thënë se e kanë shkatërruar Grykën e Deçanit.

“Deçani ka pasuri për prodhimin e energjisë së ripërtritshme. Në Deçan janë tre hidrocentrale. Deçani, Lumbardhi I,  Bellaja dhe Lumbardhi II. Hidrocentrali ‘Deçani’ apo siç e quajmë ne i Mansatirit është shkatërrues i Grykës së Deçanit  ka shkelje të Ligjit për Zonat e Veçanta, sepse ky ligj ndalon ndërtimin e hidrocentraleve e marrjen e zhavorrit” – ka thënë ndër të tjera Lushaj.

Ai ka thënë se efektet negative të hidrocentraleve të ndërtuara në Deçan, janë të shumta.

“Efektet negative të këtyre hidrocentraleve janë degradimi i natyrës, humbja e resurseve natyrore, shkelja e ligjit sepse kemi të bëjmë me ligjin e zonave të veçanta dhe mbi të gjitha e kemi cenimin e fjalës së lirë. Këto shkelje më kanë detyruar që studimet post diplomatike t’i orientoj në fushën e mjedisit” – ka thënë Lushaj.

Nën organizimin e KOSID (Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm) dhe Riverwatch, në Prishtinë po mbahet Samiti i Parë për Lumenjtë e Kosovës, me temën “Lumenjtë dhe mbrojtjen e tyre”.