Ministria e Ambientit: Nuk kemi lëshuar leje mjedisore për KELKOS-in

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka thënë se nuk ka lëshuar leje mjedisore për kompaninë KELKOS.

Në debatin me Jeta Xharrën, nuk pati zyrtarë nga Ministria e Ambientit, por ata përmes një përgjigje kanë thënë se nuk mund të lëshojnë leje pa u plotësuar kushtet e parapara me ligj.

Në përgjigjen e Ministrisë thuhet që edhe pse kompania në fjalë ka kërkuar leje, ajo nuk i është lëshuar sepse nuk i ka plotësuar kushtet e caktuara.

“‘KELKOS’ ka aplikuar për Leje Mjedisore në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit. Nga Komisioni për Leje Mjedisore nuk është lëshuar Leja Mjedisore për projektin e kompanisë në fjalë, pasi që nuk i ka plotësuar kushtet e parapara me Udhëzimin Administrativ për Leje Mjedisore. Kështu ka konstatuar Komisioni për Leje Mjedisore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Aktivistja Shpresa Loshaj nga “Pishtarët” tha se ka shumë kritere legale që KELKOS-i nuk është gati të i përmbush.

“E kanë bazenin, legalizimin e trasesë, nuk i kanë përmbush kushtet e lejes ujore, nuk kanë bërë rehabilitimin”, tha Loshaj.

Ajo tha se KELKOS-i nuk po dëshiron të ballafaqohet me bazenin dhe rehabilitimin e ‘Zallit të Rupes” dhe se dëshiron që të ia lë dikujt tjetër në dorë këtë punë.

“Nuk e di kur nuk e kanë lëshuar lejen Ministria i kanë thënë ejani përsëri aplikoni apo si është vendimi i tyre. Por, KELKOS- i ju ka bërë presion të marrin. Mirë që nuk ia kanë lëshuar se nëse e kishin lëshuar lejen është dashur që e gjithë Ministria të hyjë në burg se është shkelje flagrante”, tha Loshaj.

 ZRrE pas presionit publik dje ka ndaluar prodhimin e rrymës në tri hidrocentrale: në Deçan, Belaja dhe Lumbardhi 2, në mungesë të dokumenteve nga Ministria.