Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Kërkesat e BE-së përmes von der Leyen pas vizitave në Kosovë dhe Serbi

Si Kosova ashtu edhe Serbia, duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për të normalizuar marrëdhëniet pas shpërthimit të fundit të dhunës në veri të Kosovës, nëse duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian, tha të martën në Beograd, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen qëndroi në Beograd pas vizitave në Prishtinë dhe në Shkup, në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor.

Vizita e zyrtares së lartë të BE-së në kryeqytetin e Serbisë, erdhi gjithashtu vetëm disa ditë pasi udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kërkuan Serbisë që “të ofrojë njohjen de fakto” të Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, por që Beogradi ka vazhduar ta konsiderojë si provincën e saj jugore, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Lëvizja vjen pas shqetësimeve në rritje mbi mundësinë e një konflikti të hapur midis Beogradit dhe Prishtinës pas një shpërthimi të dhunës së fundmi në veri të Kosovës me shumicë serbe. Pjesa tjetër e Kosovës është kryesisht shqiptare etnike, raportohet tutje nga Reuters.

Von der Leyen tha se ata që janë përfshirë në një përleshje mes serbëve të armatosur dhe Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, “duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë”.

“Është plotësisht thelbësore që të dyja (Kosova dhe Serbia) të angazhohen dhe të shkojnë në rrugën e normalizimit” – tha ajo në një konferencë për shtyp pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

BE-ja dëshiron që Beogradi të miratojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të lejuar një shkallë autonomie në zonat në Kosovë ku serbët janë shumicë dhe nga Prishtina ta zbatojë atë, tha von der Leyen.

“Është e rëndësishme që Serbia të fillojë zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të mos humbasë kohë për këtë”- tha ajo.

Von der Leyne gjatë vizitës në Kosovë përsëriti se autoritetet kosovare duhet të themelojnë Asociacionin, drafti i të cilit u prezantua nga pesëshja europiane-amerikane para disa javësh në Prishtinë e Beograd.

Nga Prishtina ajo sërish dënoi sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, nga i cili u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Në krye të grupit të armatosur, pohoi se ishte Millan Radoiçiq, deri vonë nënkryetar i Listës Serbe.

Në anën tjetër, Vuçiq tha se Serbia do të përmbushë detyrimet e saj në përputhje me marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE, por se Beogradi ka kufizimet e veta kushtetuese.

Presidenti serb haptazi ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjëherë njohjen e Kosovës, ndonëse kjo iu kërkuar sërish nga Brukseli zyrtar, për njohje “de facto” të Kosovës.