12. Harta e Mbrojtes Ajrore të Ukrainës të sulmeve raketore mbi Odesa më 7 shtator 2023

Katër rajone të 'aneksuara' të Ukrainës pritet të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale ruse në mars

Katër rajone të okupuara të Ukrainës që u “aneksuan” nga Federata Ruse në fund të vitit 2022 pritet të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë vitin e ardhshëm, pasi data u caktua për 17 mars.

Këshilli i Federatës së Rusisë konfirmoi datën këtë mëngjes, me Ella Pamfilova, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Federatës Ruse, duke thënë se një vendim do të merret deri më 12 dhjetor nëse Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson i pushtuar do të marrin pjesë. Katër territoret ukrainase të njohura ndërkombëtarisht morën pjesë tashmë në zgjedhjet rajonale ruse në vitin 2023.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

Republikanët në Senatin amerikan e kanë bllokuar një projekt-ligj shtesë financimi që përfshinte ndihmë financiare për Ukrainën. Votimi bllokues i rrit gjasat që Kongresi të dështojë të miratojë më shumë fonde për Ukrainën përpara fundit të vitit, pasi Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se Kievi ka dëshpërimisht nevojë për më shumë ndihmë.

Përpara votimit, presidenti Joe Biden iu lut republikanëve, duke paralajmëruar se një fitore e Rusisë mbi Ukrainën do ta linte Moskën në një pozicion për t’i sulmuar aleatët e NATO-s dhe mund t’i tërheqë trupat amerikane në një luftë. “Nëse [Presidenti rus] Putin merr Ukrainën, ai nuk do të ndalet me kaq”- ka thënë Biden. Putini do ta sulmonte një aleat të NATO-s, parashikoi ai, dhe më pas “ne do të kemi diçka që nuk e kërkojmë dhe që nuk e kemi sot: trupat amerikane që luftojnë trupat ruse”- ka shtuar Biden. “Nuk mund ta lëmë Putinin të fitojë”- tha ai.

Një ish-deputet ukrainas i konsideruar nga Kievi si tradhtar është qëlluar për vdekje në një park në periferi të Moskës, në një sulm që i atribuohet shërbimit të sigurisë SBU të Ukrainës. Illia Kyva ishte anëtar pro-rus i parlamentit të Ukrainës përpara pushtimit të Ukrainës nga Moska në shkurt tw vitit 2022, por iku në Rusi një muaj para fillimit të luftës dhe shpesh kritikoi autoritetet ukrainase në internet dhe në emisionet televizive shtetërore ruse.

Udhëheqësit evropianë po përpiqen ta shpëtojnë një plan për fillimin e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian për Ukrainën, ndërsa kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, zotohet se do ta bllokojë vendimin në një samit të liderëve të BE-së javën e ardhshme. Orbán, i parë gjerësisht si udhëheqësi më pro-rus i BE-së, ka thënë vazhdimisht se nuk do ta mbështesë rrugën e Ukrainës drejt pranimit në këtë pikë. Të hënën, ai i dërgoi një letër Michelit duke kërkuar që ta hiqte çështjen nga rendi i ditës në takimin e liderëve të enjten dhe të premten e ardhshme.

Putini po i viziton Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite në një turne të shpejtë që ka si qëllim ta rrisë profilin e Moskës si një ndërmjetës i fuqisë në Lindjen e Mesme. Ky është udhëtimi i tij i parë në rajon që kur filloi pushtimin e tij në Ukrainë. Duke folur në fillim të bisedimeve të tij me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, Putin ofroi të diskutonte “krizën ukrainase”, mes temave të tjera./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala