Kabllot në ‘Pejton’- KEDS: Shumica janë të operatorëve kabllorë, ato të energjisë elektrike janë në proces të futjes nëntokë

Ditë më parë KALLXO.com raportoi për gjendjen e rëndë të disa shtyllave elektrike në lagjen ‘Pejton’ në kryeqytet të cilat janë të mbingarkuara nga kabllot, madje disa prej tyre të lëna edhe në trotuare.

Lidhur me gjendjen e këtyre kabllove, Margarita Rashiti nga KEDS për KALLXO.com bëri të ditur se shumica prej tyre u përkasin operatorëve kabllorë.

“Kabllot dhe mbeturinat në këto pamje nuk i përkasin KEDS-it, në shtyllë të betonit janë deri në 2 kabllo të energjisë elektrike, të gjitha të tjerat janë të operatorëve kabllorë”- ka thënë ajo.

Rashiti tutje bëri të ditur se projekti për shtrimin e rrjetit nëntokësor është duke vazhduar dhe së shpejti do futen edhe ato që kanë mbetur.

“Projekti për shtrimin e rrjetit nëntokësor ne Lagjen ‘Pejton’ është duke vazhduar, dhe vetëm një segment ka mbetur pa u përfunduar në plotni. Ne jemi duke vazhduar punët për implementimin e këtij projekti, dhe ata pak konsumatorë të cilët aktualisht janë të kyçur në rrjetin ajror, së shpejti do të furnizohen nga rrjeti nëntokësor”- shtoi ajo.

Në vitin 2020 Komuna e Prishtinës ka bërë rikonstruktim të rrugëve në lagjen ‘Pejton’ ku në projekt ishte edhe futja e kabllove të energjisë elektrike në pjesën nëntokësore.

Derisa, në rrugën ‘Pashko Vasa’ gjendje më këto kabllo është ende e rëndë, pasi shumë prej tyre janë varur nga mbingarkesa dhe disa kanë rënë edhe në pjesën ku ecin qytetarët, duke paraqitur kështu rrezik edhe për shëndetin e tyre.