James Watson screenshot. Në anën e majtë struktura e ADN-së

Ka vdekur James Watson, ish-fitues i Çmimit Nobel për zbulimin e strukturës së ADN-së

James Watson, biologu molekular i njohur dhe njëri nga fituesit e Çmimit Nobel për zbulimin e strukturës së ADN-së, ka vdekur në moshën 97-vjeçare të enjten, më 06.11.2025, pas një sëmundjeje të shkurtër, ka raportuar CNN.

Sipas raportimit, vdekja e shkencëtarit amerikan u konfirmua nga një zëdhënës i laboratorit Cold Spring Harbor të New York, ku Watson kishte kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij.

Watson pasi kishte pasur mision të zbulonte se si dukej “molekula e jetës”, fitoi Çmimin Nobel në vitin 1962 për këtë arritje, ndërsa ishte i pari që e shiti këtë Çmim, prej të cilit një pjesë të të ardhurave e dha për kërkime shkencore.

“Mendoj se që herët, kam dashur të bëj diçka të rëndësishme me jetën time. Ende dua të mendoj për shkencën dhe vërtet për asgjë tjetër” – kishte thënë Watson për CNN në vitin 2013. 

“Të udhëhiqesh nga dëshira për të gjetur të vërtetën — kjo është vërtet trashëgimia ime. E vërteta, ndonjëherë nuk e gjen dhe është e ndërlikuar, por ajo që gjithmonë ke është se, nëse mund të nisësh nga e vërteta, është e dobishme.” – kishte shtuar ai.

Por, CNN ka shkruar se trashëgimia e tij u njollos në vitet e mëvonshme pasi ai u bë pjesë e lajmeve për komente nxitëse raciste, seksiste dhe homofobike, që nënvlerësonin grupe të ndryshme njerëzish, pasi pretendonte se kishin dallime gjenetike. Këto deklarata çuan në humbjen e disa titujve të tij nderi.

Watson, së bashku me biofizikanët Francis Crick dhe Maurice Wilkins, është më i njohur për zbulimin e strukturës me spirale të dyfishtë të ADN-së në vitin 1953.

Të tretë më vonë ndanë Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi në vitin 1962.

“Kur isha 25-vjeçar, kolegu im Francis Crick dhe unë publikuam një punim shumë të shkurtër ku përshkruanim strukturën e ADN-së” – kishte thënë Watson për CNN në 2013. 

“Menduam se do të ishte një zbulim tronditës dhe për fat të mirë, ashtu doli.” – kishte theksuar ai.

Ky zbulim revolucionar, i botuar në revistën shkencore Nature ishte një hap gjigant përpara në shkencë dhe hapi rrugën për fushën e biologjisë molekulare. 

Kështu, ata kanë zbuluar kodin e mënyrës se si ADN-ja ruan informacionin dhe si struktura e saj e veçantë i mundëson molekulës të riprodhojë vetveten.

Kurreshtja e tij filloi që në moshë të hershme

James Watson lindi më 6 prill 1928 në Chicago të Amerikës, ndërsa kurreshtja e tij karakteristike ishte e dukshme që në fëmijëri.

CNN raporton se kur Watson ishte 8-vjeçar, ai pyeste veten se çfarë i shtyn zogjtë të migrojnë, teksa pyetja i dukej si një enigmë që donte ta zgjidhte, duke e frymëzuar atë të futej në shkencë në mënyrë që të kuptonte se si funksiononte bota natyrore.

Pas vetëm dy vitesh në shkollë të mesme, Watson kishte fituar një bursë studimi në Universitetin e Chicagos, vetëm disa milje larg. Kështu, në 1947 diplomoi në Zoologji.

Kurse, doktoraturën në Zoologji e kishte përfunduar në Universitetin e Indianas në Bloomington. Atje ku interesi i tij i fëmijërisë për vrojtimin e zogjve u shndërrua në një pasion për të mësuar rreth gjenetikës.

Watson ishte i magjepsur nga strukturat tre-dimensionale të molekulave gjatë kërkimeve të tij mbi viruset bakteriale në universitet. 

Pasi e kishte kuptuar për punën që po bënin shkencëtarët në Laboratorin Cavendish në Kembrixh të Anglisë, në vitin 1951, iu bashkua atyre për të punuar atje.

Kurse, për 25 vjet, nga viti 1968, Watson e drejtoi Laboratorin Cold Spring Harbor në Long Island të New York, duke e shndërruar në një qendër të rëndësishme të kërkimeve në biologjinë molekulare.