Profesorët e Univeristetit të Prishtinës para se të hyjnë në karantinë në Fakultetin e Mjekësisë, 10.09.2024, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

Mbi 10 orë në karantinë, profesorët e UP-së përpiluan provimin pranues për Fakultetin e Mjekësisë

Nëpër shi e herët në mëngjes, profesorët e Universitetit të Prishtinës u mblodhën në Fakultetin e Mjekësisë për t’u izoluar për përgatitjen e provimit pranues për këtë Fakultet, të martën, më 10.09.2024.

Për ta monitoruar këtë proces, gazetarja e KALLXO.com, Arbrita Uka, u izolua për më shumë se 10 orë bashkë me profesorët e UP-së që përpiluan pyetjet e provimit pranues dhe vetë provimin pranues të Fakultetit të Mjekësisë.

Kjo është karantina e dytë e profesorëve të UP-së që Fakulteti i Mjekësisë e aplikon këtë vit, pasi karantinën e parë e kanë mbajtur më 18.07.2024, në afatin e parë të konkursit për pranimin e studentëve për vitin akademik 2024/2025.

Izolimi i profesorëve të UP-së që i përpilojnë pyetjet dhe provimin pranues të Fakultetit të Mjekësisë praktikohet çdo vit.

Përmes kësaj metode, Fakulteti i Mjekësisë synon që pyetjet e provimit pranues të përpilohen disa orë para se të mbahet provimi pranues dhe ato të mos shpërndahen derisa të përfundojë provimi.

Profesorët e Universitetit të Prishtinës dhe gazetarja Arbrita Uka që u izoluan nga mëngjesi deri në mesditë, më 10.09.2024, nuk kishin qasje në telefon dhe në hapësirat jashtë objektit të Fakultetit të Mjekësisë.

Ashtu si në karantinën e parë, pyetjet e provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë të UP-së u përpiluan nga profesorë të Kimisë dhe Biologjisë, të cilët punuan në dy salla të ndryshme në Fakultet. Pyetjet që i përpiluan u përzgjodhën nga komisoni për pranimin e studentëve.

Në një intervistë para fillimit të karantinës, ushtruesi i detyrës së dekanit në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së, Fatos Sada, ka treguar se 170 studentë kanë aplikuar në afatin e dytë për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë.

Sada ka njoftuar se janë 63 vende të lira prej afatit të parë që nuk janë plotësuar për studentët e ardhshëm të Mjekësisë.

Sipas Sadës, për studentët kosovarë kanë mbetur të lira vetëm 11 vende në Farmaci, ndërsa vendet e tjera janë plotësuar në afatin e parë të pranimit të studentëve, 52 vendet e tjera janë për studentët nga komunitetet joshumicë dhe nga shtetet fqinje të Kosovës.

“Për studime të rregullta, d.m.th. për kosovarë vende të lira kanë mbetur vetëm për Farmaci, d.m.th. janë 11 vende të lira për Farmaci, derisa gjithsej vendet tjera të lira, d.m.th. në Mjekësi të Përgjithshme i kemi 21, në Stomatologji janë 10, në Infermieri janë 13 dhe në Farmaci janë edhe shtatë të tjera, të gjitha këto d.m.th. janë vende të lira për komunitetet joshumicë edhe për kandidatët që vijnë nga Presheva, Medvegja, Bujanovci, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, dhe nga Mali i Zi” – ka thënë Sada më 10.09.2024.

Karantina e profesorëve që përpiluan provimin pranues për afatin e dytë të pranimit të studentëve të Mjekësisë ka zgjatur rreth 7 orë më pak se karantina e afatit të parë. Kjo ka ndodhur për shkak të numrit më të vogël të kandidatëve që kanë aplikuar dhe atyre që do të pranohen në këtë afat.

“Karantina në afatin e dytë e kemi pasë vjet për herë të parë, d.m.th. e kemi testu, për shkak që është d.m.th. numri dhjetëfish më i vogël sesa afatin e parë, d.m.th. e kena parasysh që në afatin e parë kanë apliku 1,750 studentë, këtë afat janë 170, d.m.th. është dhjetëfish numri i aplikantëve më i vogël, atëherë e kemi apliku, e kemi shty provimin pranues, i cili mbahet në ora 15:00, i cili normalisht është në ora 09:00 në mëngjes, këtë e kemi apliku edhe vjet” – ka treguar Sada.

Si rrjedhojë, dekani Sada vlerëson se “metoda e karantinimit” të profesorëve që e përpilojnë provimin pranues të Fakultetit të Mjekësisë është shumë efektive, por nuk është e lehtë të realizohet.

“Si metodë është shumë efektive, unë po besoj që këto 10 vitet e kalune kanë tregu që është si metodë efektive shumë, mirëpo nuk është e lehtë për me e realizu, kërkon shumë punë, shumë mund, shumë sakrificë prej gjithë anëtarëve edhe të komisioneve të përpilimit të pyetjeve edhe komisionit për pranimin e studentëve” – ka shtuar Sada.

Ai ka bërë të ditur se në këtë afat të pranimit të studentëve, në rast se nuk plotësohet numri i studentëve që u lejohen t’i pranojnë për të studiuar në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së, do t’i plotësojnë nga lista e studentëve kosovarë që nuk janë regjistruar, sipas renditjes që kanë në këtë listë.

“Në qoftë se janë 3-4 vende në Mjekësi, mrena 3 ose 4 që janë në listë të pritjes si Këshill i Fakultetit të Mjekësië i propozojmë Senatit (të Universitetit të Prishtinës), Senati i aprovon edhe d.m.th. ata merren regjistrohen që m’u plotësu numri prej 200 studentëve në total sa i kemi të akredituar” – ka njoftuar Sada.

Pasi ka përfunduar karantina e profesorëve të UP-së që përpiluan provimin pranues, kryetari i komisionit të pranimit të studentëve të Mjekësisë, Flamur Blakaj, ka vlerësuar se vështirësitë që kanë pasur kësaj radhe janë më të ulëta krahasuar në karantinën e afatit të parë që u mbajt më 18.07.2024. 

Blakaj konsideron se metoda e karantinimit në të vërtetë ka mundësi të përmirësohet. Ai madje e propozoi këtë mundësi.

“Për momentin është mënyra ma e mirë, pra nuk do të thotë që nuk ka vend për përmirësim në të ardhmen, duhet me pa ndoshta edhe një mënyrë tjetër, sepse ky sistem është i lodhshëm, ju e patë edhe vetë, jo vetëm për komisionin, jo vetëm për menaxhmentin, po edhe për profesorët, të cilët i përpilojnë pyetjet, është një proces relativisht i rëndë” – është shprehur Blakaj.

“Karantinimi, po, është i lodhshëm edhe pastaj analizimi i rezultateve dhe nxjerrja e përfundimit ka mundësi p.sh. me bo bankën e pyetjeve paraprakisht që të ekziston në Ministri të Arsimit, më pastaj në bazë të bankës pyetjeve po themi 2000, 3000 pyetje s’është me rëndësi sa, m’i përzgjedh pyetjet edhe me vazhdu procesin” – ka propozuar Blakaj.

Provimi pranues për afatin e dytë të pranimit të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë u mbajt rreth orës 15:15, më 10.09.2024, në tri salla të Fakultetit. Ndërsa, rezultatet preliminare të këtij provimi janë publikuar në të njëjtën ditë.

Brenda karantinës që zgjati më shumë se 10 orë në Fakultetin e Mjekësisë

Në ora 06:00 të mëngjesit, të datës 10.09.2024, profesorët e Universitetit të Prishtinës planifikohej të hynin në karantinë për përpilimin e pyetjeve të provimit pranues për Fakultetin e Mjekësisë, së bashku me stafin menaxhues të Fakultetit të Mjekësisë.

Gazetarja e KALLXO.com, Arbrita Uka, ka hyrë në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së pak para se të shënonte ora 06:00.

Rreth gjysmë ore më pas, të gjithë i kanë dorëzuar telefonët, janë vendosur zhurmues në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë ku do të punonin profesorët që do t’i përpilonin dhe përzgjidhnin pyetjet e provimit pranues.

Ndryshe nga karantina në afatin e parë të pranimit të studentëve të Mjekësisë, nuk u pa se u nënshkrua ndonjë deklaratë e konfidencialitetit përmes së cilës të pranishmit zotohen se nuk do t’i zbulonin informatat, pyetjet e provimit pranues.

Në anën tjetër, profesorët e Kimisë dhe Biologjisë u pozicionuan menjëherë në dy sallat e Fakultetit të Mjekësisë që do të punonin për t’i përpiluar pyetjet e provimit pranues. Pasi gjithçka ishte në rregull me sallat ku punonin profesorët, anëtarët e komisionit të pranimit të studentëve u pozicionuan në hollin e Fakultetit të Mjekësisë të UP-së.

Për dallim nga hera e kaluar, kur u mbajt karantina për provimin pranues të afatit të parë të Fakultetit të Mjekësisë, këtë herë dy sallat ku punuan profesorët e Kimisë dhe Biologjisë kishin printer, i cili do t’u shërbente profesorëve pasi të përzgjedheshin pyetjet për provimin pranues.

Në karantinën e afatit të parë, salla e Fakultetit të Mjekësisë ku punuan profesorët e Kimisë nuk kishte pasur printer dhe për shkak të kësaj, pyetjet e lëndës së Kimisë të provimit pranues të shkruara në kompjuter nga profesorët e Kimisë ishin bartur përmes një USB në një laptop në hollin e Fakultetit të Mjekësisë dhe ishin printuar në atë vend.

Komisioni për pranimin e studentëve të Mjekësisë është përbërë nga: Flamur Blakaj – kryetar i komisionit dhe anëtarët – Violeta Lokaj-Berisha, Donika Bajrami, Premtim Rashiti, Gentian Hoxha, Tringa Kelmendi dhe Drilon Ahmetaj.

Anëtari i komisionit të pranimit të studentëve, Drilon Ahmetaj, nuk ishte nga mëngjesi kur të gjithë hynë në karantinë. Ai ka hyrë në Fakultetin e Mjekësisë rreth orës 12:00.

Kurse, komisioni për përpilimin e pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë nga lënda e Kimisë është përbërë nga: Arben Haziri, Nimet Orqusha-Sheqerxhiu dhe Albert Maxhuni.

Dhe komisioni për përpilimin e pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë nga lënda e Biologjisë është përbërë nga: Ramadan Sopi dhe Mentor Sopjani. Në afatin e parë të përpilimit të provimit pranues në këtë komision ka qenë edhe profesori Ilir Mazreku.

Komisionit të përpilimit të pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë në lëndën e Kimisë dhe Biologjisë i është kërkuar t’i përpilojnë nga 50 pyetje për katër drejtimet e Mjekësisë – Mjekësi të Përgjithshme, Stomatologji, Farmaci dhe Infermieri, për dy grupet e secilit provim pranues, A dhe B. Mirëpo, kësaj radhe pyetjet kanë qenë të njëjta për të katër drejtimet, ato kanë dalluar varësisht nga grupi i provimit.

Provimi pranues në Fakultetin e Mjekësisë i ka 50 pyetje gjithsej, 25 pyetje nga lënda e Kimisë dhe 25 të tjera nga lënda e Biologjisë.

Në karantinë dhe në rolin e monitoruesve të këtij procesi nga ana e studentëve, përkatësisht nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Mjekësisë, nuk kishte.

Në ora 07:00, ushtruesi i detyrës së dekanit në Fakultetin e Mjekësisë në UP, Fatos Sada, kryetari i Komisionit për pranimin e studentëve, Flamur Blakaj i kanë nënshkruar testet kompjuterike për secilin kandidatë ku do t’i përgjigjeshin pyetjeve të provimit pranues. Pas nënshkrimeve, testet kompjuterike vuloseshin nga sekretari i Fakultetit të Mjekësisë, Visar Muqaj.

Testi kompjuterik është në një fletë të vetme, ku shkruan emri i kandidatit që do të hyjë në provimin pranues dhe pjesa e përgjigjeve të kandidatit me opsionin që ka zgjedhur, hijezuar për çdo pyetje, përgjigje këto që lexohen përmes leximit optik nga kompjuteri.

Pjesa ku shkruan emri i kandidatit ndodhet në pjesën e sipërme të testit kompjuterik të provimit pranues, e cila ka edhe nënshkrimet e dekanit Sada, kryetarit të Komisionit të pranimit të studentëve, Flamur Blakaj, dhe vulën e sekretarit të Fakultetit, Visar Muqaj.

Kjo pjesë e testit kompjuterik me të dhënat e studentiti i jepet kandidatit, kurse pjesa e përgjigjeve u dorëzohet monitoruesve të provimit pranues.

Ndërkohë, profesorët e Kimisë dhe Biologjisë i përpilonin pyetjet e provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë duke u bazuar në librat e lëndëve Kimi dhe Biologji të klasave 10, 11 dhe 12. Pyetjet i shkruanin në fletore dhe fleta.

Pasi ka kaluar një orë e gjysmë, rreth orës 08:25, profesorët e Kimisë ia kanë dorëzuar pyetjet që i kanë përpiluar për lëndën e Kimisë, Komisionit të pranimit të studentëve.

Pas 20 minutash, Komisioni për pranimin e studentëve i kanë përzgjedhur pyetjet e provimit pranues nga lënda e Kimisë. Kurse, profesorët e Biologjisë vazhdonin me përpilimin e pyetjeve nga lënda e Biologjisë.

Pasi u përzgjodhën pyetjet e lëndës së Kimisë nga Komisioni për pranimin e studnetëve, profesorët e Kimisë filluan t’i shkruajnë këto pyetje në kompjuter, për dy grupet e provimit pranues, A dhe B.

Përderisa profesorët e Kimisë i shkruanin pyetjet e përzgjedhura në kompjuter, profesorët e Biologjisë ende ishin duke i përpiluar pyetjet e lëndës së Biologjisë për provimin pranues.

Rreth orës 10:45, profesorët e Biologjisë i kanë përpiluar pyetjet dhe kanë vendosur që t’i shkruajnë të gjitha drejtpërdrejt në kompjuter, para se t’i përzgjedhnin këto pyetje Komisioni për pranimin e studentëve.

Pasi i kanë kontrolluar dhe janë siguruar se janë mirë të shkruara, pas gjysmë ore, profesorët e Kimisë i kanë printuar tri kopje të provimit pranues me dy grupet A dhe B, me pyetjet nga lënda e Kimisë.

Kurse, anëtarët e Komisionit të pranimit të studentëve dhe stafi i Fakultetit të Mjekësisë i përgatitnin zarfet për sallat e caktuara ku do të mbahej provimi pranues, duke i mbushur ato me testet kompjuterike të nevojshme për një sallë, listat e studentëve që do të hynin në provimin pranues, udhëzuesin – ku janë të shkruara rregullat e provimit pranues që u lexohen studentëve para se të punojnë në provimin pranues dhe procesverbali – që shërben për të përshkruar ecurinë e provimit pranues, me të gjitha detajet që plotësohen nga mbikëqyrësi.

Rreth orës 11:44, Komisioni i profesorëve që përpiluan pyetjet e lëndës së Kimisë për provimin pranues të Fakultetit të Mjekësisë i kanë dorëzuar kopjet e provimeve pranuese të dy grupeve A dhe B, të nënshkruara nga ta. 

Pas pak minutash, njëri grup nga provimet pranuese me pyetjet nga lënda e Kimisë, duhej të përkthehej në gjuhën turke dhe atë boshnjake, pasi kishte studentë që kishin zgjedhur të testoheshin në këto gjuhë.

Përkthyesi i gjuhës turke, Isa Sulçevsi, ka filluar t’i përkthejë pyetjet e lëndës së Kimisë të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë në kompjuterin ku i shkruan profesorët e Kimisë pyetjet e Kimisë të provimit pranues, rrjedhimisht edhe në të njëjtën sallë ku punuan profesorët.

Ndërsa, përkthyesja e gjuhës boshnjake, Samire Beqaj, ka filluar t’i përkthejë pyetjet e lëndës së Kimisë të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë në një laptop në hollin e Fakultetit të Mjekësisë, pasi përmes një USB janë bartur pyetjet në atë laptop.

Rreth orës 12:00 ka filluar printimi i provimeve pranuese për të dy grupet, A dhe B, me pyetjet nga lënda e Kimisë. Sipas të dhënave të ndara nga Komisioni për pranimin e studentëve, nevojiteshin nëntë kopje të provimit pranues në gjuhën boshnjake dhe dy në gjuhën turke.

Pas një ore, Komisoni për pranimin e studentëve i kanë përzgjedhur pyetjet e provimit pranues nga lënda e Biologjisë. Në anën tjetër, provimi pranues me pyetjet nga lënda e Kimisë është përkthyer në gjuhën turke dhe atë boshnjake.

Pasi janë përzgjedhur pyetjet e lëndës së Biologjisë për provimin pranues, profesorët e Biologjisë i kontrollonin se a janë shkruar mirë dhe kanë hasur në disa lëshime të vogla gramatike. Në këtë rast atyre u ka ndihmuar anëtari i Komisionit për pranimin e studentëve, Drilon Ahmetaj, t’i përmisonin në kompjuter ku edhe ishin të shkruara pyetjet.

Rreth orës 14:00 ka filluar printimi i provimeve pranuese me pyetjet nga lënda e Biologjisë, për grupin A, pastaj edhe për grupin B. Në këtë kohë ka filluar edhe përkthimi në gjuhën turke dhe atë boshnjake, i njërit grup të provimit pranues me pyetjet nga lënda e Biologjisë.

Pas më shumë se gjysmë ore, profesorë e asistentë të Fakultetit të Mjekësisë që ishin caktuar si mbikëqyrës të studentëve që do punonin në provimin pranues, filluan të vijnë në Fakultetin e Mjekësisë dhe të pozicionoheshin në sallat ku do t’i mbikëqyrnin kandidatët që do t’i nënshtroheshin provimit pranues.

Pak minuta para orës 15:00, kandidatët që do t’i nënshtroheshin provimit pranues kanë hyrë në Fakultetin e Mjekësisë dhe janë thirrë të hyjnë secili në salla siç janë caktuar sipas listës.

Ndërkaq, rreth orës 15:05 është përkthyer në gjuhën boshnjake provimi pranues me pyetjet e lëndës së Biologjisë, pas 10 minutash është përkthyer edhe në gjuhën turke. Për të dy gjuhët janë printuar provimet më pas.

Si përfundim, rreth orës 15:15 janë shpërndarë provimet pranuese. Gazetarja Arbrita Uka nuk ka pasur mundësi ta monitoroj nga afër edhe procesin e mbajtjes së provimit pranues, pasi ka qenë në karantinë.

Pas pak minutash, janë dorëzuar telefonët e profesorëve të UP-së, stafit të menaxhmentit të Fakultetit të Mjekësisë e gazetares Arbrita Uka, mirëpo ata nuk kishin mundësi të liroheshin edhe nga objekti i Fakultetit të Mjekësisë derisa të përfundonte provimi. 

Rreth orës 16:10 ka përfunduar karantina e të gjithë atyre që i morën edhe telefonët para kësaj kohe, duke u liruar edhe nga objekti i Fakultetit të Mjekësisë.

Pretendohet se anëtarët e Komisionit për pranimin e studentëve dhe anëtarët e Komisionit për përpilimin e pyetjeve të lëndës Kimi dhe Biologji, së bashku me përkthyesit e provimeve pranuese në gjuhën boshnjake dhe atë turke, nuk do të paguhen nga UP-ja për angazhimin e tyre në përpilimin, përgatitjen e provimit pranues për afatin e dytë të Fakultetit të Mjekësisë.

Gazetarja Arbrita Uka e ka monitoruar edhe karantinën e afatit të parët të pranimit të studentëve për vitin akademik 2024/2025, në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së. Kjo karantinë ka zgjatur për 17 orë, më 18.07.2024 deri më 19.07.2024, kur edhe është mbajtur provimi pranues.

Për karantinën 17 orëshe të profesorëve që përpiluan pyetjet për provimin pranues të afatit të parë të Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, mund të lexoni më shumë në këtë LINK.