Jonathan Hargreaves emërohet ambasador i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë

Jonathan Hargreaves është emëruar ambasador i ri Britanisë së Madhe në Kosovë, duke zënë vendin e paraardhësit të tij, Nicholas Abbott.

Ambasada britanike ka njoftuar se Abbott do të transferohet në një tjetër emërim në Shërbimin Diplomatik kurse Hargreaves do të marrë emërimin e tij në fillim të vitit 2024.

“Z. Jonathan Hargreaves është emëruar Ambasador në Republikën e Kosovës në vazhdim të z. Nicholas Abbott, i cili do të transferohet në një tjetër emërim në Shërbimin Diplomatik. Zoti Hargreaves do të marrë emërimin e tij në fillim të vitit 2024” – thuhet në njoftim.

Hargreaves para se të marrë detyrën e ambasadorit ka qenë Përfaqësues Special i Mbretërisë së Bashkuar për Sirinë, nga viti 2020 e deri më tani.

Ai paraprakisht, nga viti 2017 deri në vitin 2020, ka qenë i angazhuar si zëvendës drejtor në Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID), në divizionin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Kurse nga viti 2014 deri në 2017-tën, Hargreaves ka qenë shef i Departamentit të Qeverisjes, Shoqërive të Hapura dhe Kundër Korrupsionit.

Angazhimet e Hargreaves përfshinë edhe rolin e tij si Shef i Zyrës dhe Shef i Programit Palestinez të DFID dhe zyrtar në Komisionin Europian në Bruksel.

Nicholas Abbott ka shërbyer si ambasador britanik ë Kosovë që nga viti 2019.