Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti flet me ambasadorin britanik për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin e Mbretësisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, me të cilin, mes tjerash ka biseduar lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Zyra e Kryeministrit më 13.04.2024 njoftoi se Kurti e Hargreaves folën edhe për marrëdhëniet dypalëshe.

“Diskutimi u fokusua edhe në hapin e radhës drejt anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshill të Evropës dhe rendësinë që anëtarësimi në këtë organizatë sjell në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave përmes qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg” – thuhet në njoftim.

Kryeministri ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar si shtet themelues i Këshillit të Europës, aleat dhe partner i Kosovës.

Për këtë temë, bashkë me ambasadorin britanik ka folur edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dje, më 13.04.2024.

Së fundmi, është raportuar se Serbia ka formuar grupin punues, i cili do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Europës.

Anëtarësimi i Kosovës në KiE është përfshirë si pjesë e marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 27.02.2023 dhe në takimin në Ohër, në 18.03.2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Tre liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën në Këshillin e Europës, Dora Bakyoannis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Europës.

Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.

Pranimi në këtë organizatë të bëhet me votimin e shumicës prej 2/3.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.