Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves. Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës

Nis detyrën ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves

Presidentja Vjosa Osmani pranoi më 05.03.2024 letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

Ambasadorit të ri presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje.

“Presidentja Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit Hargreaves” – thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Në takimin e tyre është folur edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe për procesin e dialogut me Serbinë.

Presidentja ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke e vlerësuar lart vizitën e ministrit të Jashtëm britanik, David Cameron, në fillim të janarit në Kosovë

“Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit për fuqizimin e grave dhe pavarësinë ekonomike të tyre, ndërkohë që Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Hargreaves për edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili pritet të mbahet më 15-16 prill” – thuhet më tej në njoftim.

Osmani ka shtruar edhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si mbrojtja, tregtia, investimet e arsimi.

Jonathan Hargreaves është emëruar ambasador i ri Britanisë së Madhe në Kosovë më 13.11.2023, duke zënë vendin e paraardhësit të tij, Nicholas Abbott.

Hargreaves para se të marrë detyrën e ambasadorit ka qenë Përfaqësues Special i Mbretërisë së Bashkuar për Sirinë nga viti 2020 e deri më tani.

Ai paraprakisht, nga viti 2017 deri në vitin 2020, ka qenë i angazhuar si zëvendësdrejtor në Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID), në divizionin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Kurse nga viti 2014 deri më 2017, Hargreaves ka qenë shef i Departamentit të Qeverisjes, Shoqërive të Hapura dhe Kundër Korrupsionit.

Angazhimet e Hargreaves përfshijnë edhe rolin e tij si shef i Zyrës dhe shef i Programit palestinez të DFID dhe zyrtar në Komisionin Europian në Bruksel.

Ndërkaq, Nicholas Abbott ka shërbyer si ambasador britanik në Kosovë që nga viti 2019.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves. Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës