Konjufca priti në takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur më 06.03.2024 në takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Konjufca e ka uruar ambasadorin Hargreaves për detyrën e re në krye të misionit britanik në Kosovë, ndërsa ka vlerësuar lart marrëdhëniet midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dy vende mike dhe me raporte të ngushta bashkëpunimi.

Sipas njoftimit, ai vlerësoi gjithashtu kontributin e Mbretërisë së Bashkuar në proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, duke theksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej.

“Kreu i Kuvendit vuri në pah aspiratat dhe perspektivën euro-atlantike të vendit tonë, si dhe angazhimet e institucioneve në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, ambasadori Jonathan Hargreaves ka shprehur përkushtimin e shtetit të tij për të vazhduar mbështetjen për Kosovën dhe për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve.

Ambasadori i ri britanik ia ka dorëzuar më 05.03.2024 letrat kredenciale presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Jonathan Hargreaves është emëruar ambasador i ri Britanisë së Madhe në Kosovë më 13.11.2023, duke e zëvendësuar ambasadorin Nicholas Abbott.