Mexhid Isufi, Foto: KALLXO.com
Java e dhurimit të gjakut në Prishtinë, qytetarët rrëfejnë angazhimin për të shpëtuar jetë
Të martën në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë ka vazhduar aktiviteti i dhurimit të gjakut.
Ky aktivitet është duke u mbajtur që nga 11 qershori në kuadër të Javës së dhurimit të gjakut, organizuar nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.
KALLXO.com e ka vizituar këtë qendër dhe sjell disa nga rrëfimet e qytetarëve që kanë dhuruar gjak.
Në mesin e këtyre dhuruesve është Bardhyl Haxhiu, nga komuna e Drenasit, i cili ka kujtuar fillimet e tij si dhurues i gjakut, që nga fëmijëria.
”Dhurimi im i gjaku është qysh nga fëmijëria, në klasën e tetë kam qenë për herë të parë. Nuk di ta numëroj sa herë kam dhuruar gjak, po nuk është hera e fundit as nuk do të ndalem me kaq” – është shprehur Haxhiu.
Haxhiu mendon se ky aktivitet është shumë i nevojshëm, pasi shpëton jetë dhe iu përgjigjet nevojave të atyre që kanë kërkesa për gjak.
Kështu që ai iu bën thirrje të tjerëve të dhurojnë gjak, duke thënë se ‘’secili i cili e ndjen veten që është mirë me shëndet, edhe e din vetën që mundet me dhuru gjak, pse mos me dhuru”.
Një tjetër dhurues gjaku është po ashtu Mexhid Isufi, nga fshati Strofc i komunës së Vushtrrisë, i cili thotë se do të vazhdoj të dhurojë gjak edhe më tutje.
Për të kjo është e hera e katërt, që ka dhuruar gjak.
“Tash është bërë vështirë, sa po sëmuhen, tash ka nevojë populli për gjak e për atë arsye po dhurojë gjak. I apeloj kush është i shëndosh të dhurojë gjak, kush ka mundësi” – ka thënë Isufi.
Kurse, për Anida Llapashticën, është hera e parë që ka dhuruar sot gjak. Anida tha se është rritur në ambiente të kësaj natyre, pasi që një familjare e saj merret me aktivitete të dhurimit të gjakut.
Shoqërimi që i ka bërë asaj gjatë punës, i ka ndihmuar 18-vjeçares ta largojë frikën nga gjilpërat dhe gjaku, andaj sot nuk e kishte problem të dhuronte gjak.
Ajo gjithashtu ka bërë thirrje që edhe të tjerët të dhurojnë gjak, e të mos kenë frikë nga gjilpërat e gjaku, sepse sipas saj, kur dhuron gjak shpëton jetë dhe kjo ia vlen.
Ganimete Avdiu, menaxhere e marketingut dhe e grumbullimit të gjakut, ka thënë për KALLXO.com se ka interesim për të dhënë gjak nga qytetarët, dhe se ata që mund të dhurojnë gjak duhet të jenë të moshës 18 deri 65 vjeç.
”Interesimi i dhuruesve të gjakut është mjaft i mirë, duke i ditur kërkesat e mëdha për gjak edhe për produktet e gjakut, ne gjithmonë, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, jemi të gatshëm për aksione të tilla, ku edhe organizojmë’’ – tha Avdiu.
Përveç këtij organizimi në Prishtinë, Avdiu ka treguar se sot gjithashtu është duke u mbajtur ky aksion edhe në komunën e Ferizajt.
Sipas saj, ata arrijnë ta menaxhojnë mirë secilën qendër sa i përket mbështetjes së ekipës mjekësore, ku zakonisht ka nga dy ekipe që punojnë gjatë ditës.
Në anën tjetër, ajo ka treguar se kanë përkrahje nga institucionet e shëndetësisë dhe sigurisë, mirëpo nuk iu mungon bashkëpunimi edhe me kompani që operojnë në Kosovë, siç ka përmendur bashkëpunimin me një kompani që quhet ”Frakton”, e cila për çdo vit ka mbi 30 dhurues të gjakut.
”Gjatë javës së dhurimit të gjakut, gjithmonë në përkrahje e kemi Ministrinë e Shëndetësisë, komunat e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës që na dalin në ndihmë për tendat që i shfrytëzojmë që ta kemi sa më shumë komod për dhuruesit edhe për stafin” – ka deklaruar Avdiu.
Java e dhurimit të gjakut është duke u organizuar edhe në Qendrën e Transfuzionit të gjakut, nga ora 10:00 deri në ora 18:00, kurse të mërkurën shënohet Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut.