Jamie Shea: Qeveria e Kosovës bëri mirë që shtyu vendimin për targat e automjeteve

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri lëvizje të mirë kur shtyri vendimin për targat e automjeteve.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se është normale që Kosova të dëshirojë sistem universal të targave, por me kërkesë të SHBA-së dhe BE-së u shty zbatimi i këtij vendimi.

“Mendoj se kryeministri Kurti bëri një lëvizje të mirë me shtyrjen e vendimit për zbatimin e targave. Unë vetë, në shumë intervista kam thënë se është krejt normale që Kosova do të dëshironte të ketë një sistem universal të targave të veturave sepse çdo vend evropian ka një sistem universal të targave të makinave për një sërë arsyesh praktike. Por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kërkuan kryeministrit Kurti që të shtyjë zbatimin e këtij vendimi dhe ai e bëri këtë sipas kërkesës”- deklaroi Shea.

Shea tutje shtoi se Kosova pati hequr edhe takën 100% për mallrat nga Serbia për të ulur përshkallëzimin në terren.

“Kosova pati hequr edhe tarifat 100% për mallrat e ardhura nga Serbia kohë më parë si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ulur përshkallëzimin e situatës në terren. Edhe kryeministri Kurti ka qenë në Bruksel, natyrisht, duke u përpjekur që, me presidentin Aleksandar Vuçiq ta rikthejë këtë dialog në binarë” – tha ai.

Ai shtoi se dorëzimi i aplikacionit për anëtarësim në BE nga ana e Kosovës tregon udhëtimin e ardhshëm që do ndjekë ky vend.

“Unë gjithashtu mendoj, siç e kam thënë dhe më parë, që shkuarja e kryeministrit Kurti në Pragë duke prezantuar aplikacionin formal të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian tregon drejtimin e udhëtimit të ardhshëm të Kosovës”- shtoi më tej Shea.

Tensionet në veri filluan të shtohen në nëntor kur Qeveria paralajmëroi fillimin e periudhës për shqiptimin e gjobave ndaj pronarëve të veturave me targa ilegale.

Më 5 nëntor 2022, në një mbledhje të thirrur nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e gjyqësor.