Jamie Shea, Zëvendës i Asistentit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Sfidat e Sigurisë. Foto: NATO

Shea për planin franko-gjerman: Një bazë shumë e mirë për të ecur përpara

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka folur lidhur me planin franko-gjerman, i cili fillimisht u refuzua nga ministri serb, Ivica Daçiq.

Shea në emisionin “Kallxo Përnime” tha se kur një palë nuk merr gjithçka që kërkon, gjithmonë jep kritika. Ai shtoi se në emër të qeverisë së Serbisë flasin presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

“Çdoherë që dikush nuk i jep njërës palë gjithçka që dëshiron apo kërkon, atëherë gjithmonë do të ketë kritika. Por është presidenti Vuçiq dhe kryeministrja, që flasin në emër të qeverisë dhe jo një ministër individual ose një anëtar i Kuvendit të Serbisë. Pra, le të presim dhe të shohim. Sigurisht, çdo plan është i hapur për negociata, është i hapur për modifikim, por përfaqëson një rrugë konkrete përpara”- ka deklaruar Shea.

Sipas tij, Serbia dëshiron të lidhë planin franko-gjerman me elementet e mëparshme të marrëveshjes së BE-së, siç është rasti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Serbia dëshiron të lidhë planin franko-gjerman me elementet e mëparshme të marrëveshjes nga BE-ja, për shembull, për krijimin e këtij Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, natyrisht, është miratuar më parë nga Parlamenti i Kosovës. Pra, po, do të ketë një lloj negocimi, por unë nuk do ta shihja me aq zymtësi sa po e shihni ju, thjesht sepse ky plan ka marrë disa kritika në Beograd, dhe pastaj të themi që Serbia e refuzoi plotësisht këtë plan”- shtoi më tej Shea.

Jamie Shea tutje shtoi se plani  është një bazë shumë e mirë për të ecur përpara.

Propozimi i BE-së, i njohur edhe si plani franko-gjerman, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Një version i këtij propozimi u është dorëzuar tashmë të dyja vendeve.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Plani franko-gjerman, “bazë e mirë” për bisedime të mëtejshme