Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea. Foto: NATO

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea. Foto: NATO

Ish-zëdhënësi i NATO-s: Kërcënimi i Vuçiqit, marifet propagandistik për konsum të brendshëm në Serbi

Jamie Shea, ish-zëdhënësi i NATO-s në kohën e bombardimeve të caqeve ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë- më 1999, e cilëson si të vagët kërcënimin që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ia ka bërë së fundmi Kosovës.

Ai e cilëson atë vetëm si vijimësi e propagandës së Vuçiqit për konsum të brendshëm në Serbi.

“Këtë [kërcënimin e Vuçiqit] e shoh kryesisht si një marifet propagandistik për konsum të brendshëm në Serbi dhe një devijim të padobishëm nga detyra reale për të rikthyer në rrugën e duhur normalizimin e marrëdhënieve të përshkruara në Marrëveshjen e Ohrit të vitit të kaluar”- thotë Shea për KALLXO.com.

Prandaj, për këtë ish-ushtarak, ajo çfarë po bën Vuçiqi s’është tjetër pos një zhurmë e radhës për kinse mundësinë e kthimit të trupave ushtarake në Kosovë.

Siç ka raportuar media serbe Danas, Vuçiq ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të sjelljes së autoriteteve të Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar.

“Serbia do të pres momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të bisedojmë, por tani me një qasje tjetër”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Por, Shea thotë se këto deklarata nuk qëndrojnë për shkak se me veprime të tilla jo vetëm që do shkelej sovraniteti i Kosovës- që është shtet i pavarur, por do të shkelej edhe Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Andaj, ai është i bindur se “KFOR-i nuk do ta lejojë këtë”.

Pas kërcënimit të Vuçiqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga Britania e Madhe që t’i shtojë trupat në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.

E për këtë kërkesë, Shea shprehet me frymë pozitive. Mbretëria e Bashkuar, sipas tij, është një mbështetëse e fortë e një Kosove të pavarur dhe sovrane.

“Londra i ka dërguar KFOR-it përforcime nga Regjimenti Mbretëror i Princeshës së Uellsit në mënyrë që të ndihmojë në ruajtjen e paqes dhe kam besim se do të dërgojë edhe më shumë nëse do t’i nevojiten komandantit të KFOR-it dhe do të kërkohen nga NATO”- deklaron Shea për KALLXO.com.

Shea komenton edhe deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, dhënë televizionit shtetëror serb RTS, se “Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova”.

Serbia, siç thotë Shea, nuk e ka ndërmend të aplikojë në NATO, ndërsa Kosova po. Duke qenë kështu, ai uron që Kosova të anëtarësohet sa më shpejtë në NATO.

Megjithatë, sipas tij, Serbia është zyrtarisht pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s, e për këtë arsye i jep asaj qasje në një menu më të madhe të aktiviteteve të bashkëpunimit sesa Kosovës.

NATO, ndërkaq e ka një program të përbashkët aktivitetesh me Kosovën, por se sipas Shea-s, aktualisht është më i kufizuar, kryesisht për shkak se katër anëtarë të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën.

“Me kalimin e kohës besoj se balanca do të ndryshojë në mënyrë të vendosur në favor të integrimit euroatlantik të Kosovës”- thotë Shea.

Me deklarimin e Hillit nuk është pajtuar as ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Unë dua të kundërshtojë këta që duan të bëjnë krahasime se kush ku është duke qëndruar në raport me kënd”- deklaroi Hovenier për media, më 20.03.2024.

Hovenier iu është përgjigjur edhe deklaratave kërcënuese të Aleksandër Vuçiqit, duke ia rikujtuar atij se në Kosovë është NATO-ja.

“Ne nuk humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë sulm sepse besojmë se NATO është e përgatitur, e gatshme dhe nuk mendoj se njerëzit në Kosovë duhet të humbin gjumin për këtë gjithashtu, sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme këtu, e gatshme të bëj të nevojshmen” – tha Hovenier.

Ndërsa në një deklarim para mediave më 20.03.2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka theksuar se ata që thonë se Serbia është afër NATO-s përveç që fyejnë shtetet demokratike, fyejnë edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit.

“Serbia është shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive  Kështu që më lejoni të them troç: kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet që është afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit”- tha Osmani.

Sidoqoftë, NATO i ka trupat e saj në Kosovë që nga viti 1999. Aktualisht në kuadër të misionit paqeruajtës- KFOR janë 4,000 trupa ushtarake.