James O'Brien, Foto: REL

James O’Brien në Shkup: SHBA mbështet vendet e Ballkanit në aspiratat europiane

Ndihmës-sekretari i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, tha se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor, bëjnë reforma te caktuara atëherë njerëzit do të lëvizin më lirshëm drejt BE-së.

Ai ka thënë se SHBA mbështet aspiratat europiane nga viti 1996.

“Ne mbështesim aspiratat europiane nga viti 1996, asnjëherë nuk keni qenë më afër. Përparimi na qon më afër arritjes së dobive. Kjo është çështje shprese sepse BE ka inovacione. Ky plan i rritjes dallon nga ofertat e tjera. Çdo shtet duhet ta bëjë punën e tyre dhe qytetarët do ta ndjejnë leverditë. SHBA-të kanë shpenzuar rreth 200 milionë dollarë ndihmë për rajonin dhe do të mbetemi të përkushtuar në këtë. Tani jemi të fokusuar në atë që vendin ta përfshijmë në tregun e vetëm”- ka thënë ai.

Ndërsa, Gert Jan Kopmann, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Europian, tha se është e rëndësishme të shihet se si vendet po punojnë në reforma për të përshpejtuar rritjen dhe afrimin me BE-në.

“Konsiderojmë që plani i rritjes do të ndryshojë rajonin në mënyrë potenciale. Jam i inkurajuar nga puna që është bërë në agjendën e reformave dhe kjo nuk ka kaluar pa u vërejtur nga BE-ja. Qëllimi është që të dyfishohet ekonomia” – ka thënë ai.

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në Shkup për të diskutuar mbi hapat për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian.

Ky takim po mbahet në kuadër të “Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.

Kosovën po e përfaqëson kryeministri Albin Kurti, i cili gjatë fjalës hyrëse tha se vlerat e Bashkimit Europian duhet të bëhen reforma në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa ka thënë se BE-ja është qëllimi dhe fati i këtyre shteteve.