Izraeli propozon largim të lirë nga Gaza të liderëve të Hamasit si pjesë e marrëveshjes së mundshme të armëpushimit

Izraeli ka propozuar lejimin e liderëve të lartë të Hamasit që të largohen nga Gaza si pjesë e një marrëveshje më të gjerë armëpushimi, kanë deklaruar për CNN dy zyrtarë.

Megjithëse do t’u jepte një kalim të sigurt nga Gaza liderëve të lartë të Hamasit që orkestruan sulmin e 7 tetorit, largimi nga Gaza i liderëve të saj do të mund ta dobësonte kontrollin e Hamasit në brezin e shkatërruar nga lufta, duke i dhënë mundësinë gjithashtu Izraelit të vazhdojë të gjurmojë objektivat me vlerë të lartë jashtë vendit.

Ndaras nga kjo, raportohet se Izraeli ka ofruar një armëpushim dy-mujor si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme pengjesh.

Raportet vijnë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë thirrjen e Hamasit për t’i dhënë fund luftës në këmbim të lirimit të pengjeve të mbajtura në Gaza, pasi ai përballet me presionin në rritje të publikut për t’i sjellë robërit në shtëpi.

SHBA dhe Britania e Madhe kanë kryer më shumë sulme kundër objektivave Houthi në Jemen të hënën, duke shënuar raundin e tetë të sulmeve në infrastrukturën e rebelëve në pak më shumë se 10 ditë. Udhëheqësi i Houthi-t, Mohamed Ali al-Houthi tha se këto sulme vetëm do ta bëjnë popullin jemenas më të fortë.

Izraeli po e shkatërron sistemin ushqimor të Gazës, ka thënë Raportuesi Special i OKB-së për të Drejtën për Ushqim, Michael Fakhri, përmes një postimi në rrjetin social X. 

“Izraeli po imponon qëllimisht një shkallë të lartë sëmundjesh, kequshqyerje të zgjatur, dehidrim + uri duke shkatërruar infrastrukturën civile”- ka thënë mes tjerash, Fakhri.

Njerëzit në disa zona të Gazës kanë përshkruar ujërat e zeza që rrjedhin nëpër rrugë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi, numri i të vdekurve ka kaluar mbi 25,000 njerëz.

Kundërshtimi i i kryeministrit izraelit Netanyahu ndaj një zgjidhje me dy shtete ka ngjallur kritika nga zyrtarët në Bruksel dhe Uashington, ndërsa ndarjet thellohen midis Izraelit dhe aleatëve të tij dhe brenda qeverisë së tij. Pas bisedës me liderin izraelit të premten, presidenti amerikan Joe Biden e përmendi mundësinë e një shteti palestinez të çmilitarizuar. 

Perspektivat politike të Netanyahut duken të zbehta, me një sondazh të ri që sugjeron se partia e tij do të renditej në një pozitë të dytë shumë të largët nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, dhe koalicioni që ai udhëheqë tani nuk do të fitonte ulëse të mjaftueshme për të mbetur në pushtet./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala