Ilustrim - Foto: FFK

Izraeli bën kërkesë në UEFA për ta shtyrë ndeshjen me Kosovën

Lufta që po ndodh mes Izraelit dhe Palestinës ka prekur edhe sportin, më konkretisht futbollin.

Tashmë të gjitha kombëtaret janë grumbulluar për t’i zhvilluar ndeshjet kualifikuese, por te Izraeli vazhdon të jetë e paqartë nëse do të luajnë.

Shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA njoftoi dje se ka shtyrë takimin mes Izraelit dhe Zvicrës që ishte paraparë të luhet më 12 tetor.

Megjithatë duket se kjo kombëtare nuk do të luajë as ndeshjen e dytë, që ishte e paraparë të zhvillohet me Kosovën në Prishtinë më 15 tetor.

Mediat e ndryshme sportive në Izrael gjatë ditës së sotme kanë njoftuar se Federata e Futbollit të Izraelit ka bërë kërkesë në UEFA për ta shtyrë edhe ndeshjen me Kosovën.

Izraelitët kanë anuluar edhe rezervimin e hotelit që kishin bërë në Prishtinë gjatë qëndrimit dy-ditorë që ishte planifikuar.

Gjatë ditës së sotme UEFA pritet të marrë vendim përfundimtar nëse do ta shtyjë ndeshjen me Izraelin. /Telegrafi