Italia tejkalon Kinën, në 24 orët e fundit 427 viktima, mbi 5 mijë raste të reja me coronavirus

Pandemia  e coronavirusit ka goditur rëndë Italinë duke e bërë vendin e parë në botë për nga numri i viktimave.

Sipas autoriteteve italiane, numri i të vdekurve në Itali ka tejkaluar numrin e përgjithshëm të viktimave në Kinë.

Në 24 orët e fundit janë raportuar 5,322 raste të reja të infektuar me COVID-19, që është numri më i madh i raportuar për 24 orë që nga shfaqja e virusit në Itali.

Ndërsa në 24 orët e fundit është raportuar për 427 viktima si pasojë e pandemisë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Itali tejkalon shifrën 41 mijë persona, përderisa në gjendje kritike janë 2,498 pacientë.

Kina ka regjistruar deri më sot 3,245 viktima nga numri i përgjithshëm prej 80 mijë persona të infektuar, për dallim nga Italia e cila nga 41 mijë persona të infektuar tashmë në total ka 3,405 viktima.

Gjithashtu raportohet se nga pandemia COVID-19 janë prekur edhe 300 fëmijë, mirëpo asnjë rast nuk është në gjendje të rëndë apo kritike, dhe nuk shfaqin probleme serioze.

Dje ka qenë dita më e rëndë për Italinë, kur në 24 orë janë regjistruar 475 persona të vdekur.

Lajm i mirë për Italinë dje ka qenë rënia e numrit të të infektuarve, që ishte 2,648 e që jepte një shpresë për rënie të numrit, mirëpo në 24 orët e fundit ky numër është dyfishua duke u regjistruar 5,322 raste të reja.

Një lajm tjetër negativ për Italianë është rënia e numrit e pacientëve të shëruar, që në 24 orët e fundit është 415 persona, ndërsa dje ishte raportuar për më shumë se 1 mijë persona të shëruar.

Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar për gjendjen në itali, lidhur me pandeminë COVID-19.

 

Italia në ditët më të rënda, për 3 ditë mbi 1,000 të vdekur nga coronavirusi

 

Në 24 orët e fundit nuk është konfirmuar asnjë i prekur me coronavirus në Kosovë.

 

Për 24 orë, asnjë i prekur me coronavirus në Kosovë

 

Kujtojmë se rasti i fundit i identifikuar me COVID-19 është rast kontakti nga fshati Bradash i Podujevës, një grua 55 vjeçare.