Foto: REL/AFP

Për 24 orë, asnjë i prekur me coronavirus në Kosovë

Në 24 orët e fundit nuk është konfirmuar asnjë i prekur me coronavirus në Kosovë.

Sipas komunikatës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, vetëm sot janë testuar 16 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha janë negative.

Nga data 08.02.2020 deri me 19.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 335 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet raste kanë rezultuar pozitivë.

Kujtojmë se rasti i fundit i identifikuar me COVID-19 është rast kontakti nga fshati Bradash i Podujevës, një grua 55 vjeçare.

Në Kosovë, nga 13 marsi deri më sot janë shënuar 20 persona të prekur me coronavirus.

Ndërsa në botë ky numër ka arritur në 219,565 persona. Sipas të dhënave të fundit, deri më tani 84,006 persona janë shëruar dhe 8,941 kanë vdekur.

Vendi me më së shumti të prekur me coronavirus në botë është Kina, me 81,118 të prekur, prej tyre 70,506 janë shëruar dhe 3,249 kanë vdekur. Vendi i dytë me më së shumti të prekur është Italia, me 35,713 persona të prekur me coronavirus, 4,025 persona të shëruar dhe 2,978 të vdekur.

Edhe një rast me coronavirus në Kosovë