Sergio Faustini, pacient me coronavirus, duke biseduar me familjen e tij përmes video chat në një spital në Brescia, Italia veriore, të dielën. Foto: Spedali Civili di Brescia

Italia në ditët më të rënda, për 3 ditë mbi 1,000 të vdekur nga coronavirusi

Italia po i kalon ditët më të rënda të pandemisë Covid-19, duke regjistruar viktima në numër të madh çdo ditë, dhe numri i përgjithshëm i të infektuarve tashmë ka kaluar shifrat 30 mijë.

Në Itali në 24 orët e fundit si pasojë e pandemisë coronavirus kanë vdekur 345 persona, ndërsa janë regjistruar 3,526 raste të reja, raporton Index.hr.

Kjo tejkalon numrin e djeshëm kur brenda 24 orëve ishin 3,233 raste të reja me Covid-19.

Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës janë vendosur ngjyrat e flamurit të Italisë në shenjë solidarizimi ndaj viktimave si pasojë e virusit.

Që nga rasti i parë e deri më sot në total numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid-19 është 31,506 persona, ndërsa janë 2,503 viktima si pasojë e pandemisë.

Në tre ditët e fundit në Itali është raportuar se numri i të vdekurve është 1,062 persona,

Data 15 mars ka qenë ditë më e rëndë për Italinë kur ishte raportuar për 368 viktima.

Sidoqoftë ekspertët po kërkojnë kujdes të madh, “ Kulmi i epidemisë nuk mund të parashikohet “ ka thënë profesori i statistikave Antonello Maruotti nga Universiteti i Romës.

Maruotti është anëtar i ekipit Staf- Group 19, i cili ka dhënë parashikime për rritjen e pandemisë COVID-19, por këto statistika kanë shërbyer për të mësuar për gjendjen e mundshme vetëm brenda tre ditëve të ardhshme dhe jo më gjatë.

Sipas studimeve pritet që pandemia COVID-19 të arrijë kulmin ditën e enjte apo të premte në Itali, kur edhe besohet se do të rritet numri i përgjithshëm i të infektuarve, ndërsa nga java e ardhshme mund të pritet rënie e rasteve të reja duke marrë parasysh masat që ka ndërmarrë Qeveria Italiane.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin Covid-19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Sipas statistikave në kohë reale, aktualisht në botë janë regjistruar 189,6833 raste, ndërsa janë 7513 viktima, dhe numri i të shëruarve arrin në 80,874 persona.