Miroslav Lajçak emërohet Përfaqësues i ri Special i BE-së për bisedimet Kosovë - Serbi

Këshilli i BE-së, ka njoftuar se ka emëruar sot Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të kontribuojnë në konsistencën dhe efektivitetin e veprimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Lajçak do të marrë detyrat e tij menjëherë, me një mandat fillestar prej 12 muajsh .

Lajçak është një diplomat sllovak që më parë ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018). Ai ishte Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën nga 2007-2009, ndërsa gjithashtu vepronte si Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare atje. Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së negocioi, organizoi dhe mbikëqyrë referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në 2006 në emër të Bashkimit Evropian.

Kujtojmë se javë më parë, presidenti Thaçi ia parashikoi dështimin Lajçakut, pa ia përmendur emrin.

“BE emëroi zyrtarisht të Dërguarin Special për dialogun Kosovë-Serbi. E përgëzoj për punën e këndshme që mori. Por misioni i tij i ri është krijuar të dështojë për shkak të historisë së tij për të ndaluar Sllovakinë të njohë Kosovën dhe të votojë kundër Kosovës në UNESCO”, shkroi Thaçi në Twitter.

Ndërkaq, mediat serbe më 7 shkurt kishin shkruar se Ministri i Jashtëm në largim i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, do të jetë i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta serbe “Blic” duke cituar burimet e veta raporton se propozimi për emërimin e Lajcak në këtë pozitë ka ardhur nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel.

Dialogu Kosovë – Serbi është ndërprerë pasi që Kosova i vuri tarifën 100 për qind në vitin 2018.