Enver Hoxhaj në konferencë për media, Foto: KALLXO.com, 23.05.2019

Ish-kryediplomati Hoxhaj reagon ndaj deklarimeve të Gjermanisë dhe Francës

Ish-ministri i Punëve Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas një artikulli të përbashkët të dy ministrave të Punëve të Jashtme, të Gjermanisë dhe Francës.

Në një artikull të përbashkët, ministri i jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian dhe ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, kanë deklaruar se dy vendet janë daktort që të rifilloj dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Por, Hoxhaj ka thënë se dy vendet duhet të shqetësohen pse Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave.

“Franca dhe Gjermania është dashur ta marrin me shqetësim faktin se si kosovarët ende nuk kanë marrë liberalizimin e vizave, edhe pse Kosova ka kohë që ka plotësuar të gjitha kushtet e dhëna nga Bashkim Europian”, thuhet në reagimin e tij në Facebook.

“Porosia e tyre që të nisë menjëherë dialogu Kosovë -Serbi dhe njohja e ndërsjellë e dy shteteve është çështje vërtetë aktuale dhe e rëndësishme. Por, po aq aktuale dhe e rëndësishme është pritja shumëvjeçare dhe angazhimi i Kosovës që të përmbushë të gjitha kriteret për t’u bërë pjesë e bashkësisë së shteteve, në të cilën përket edhe ashtu gjeografikisht, si orientim politik por edhe si trashëgimi e afërsi shpirtërore e kulturore. Do të doja që ministrat e jashtëm të këtyre dy vendeve të kërkonin të liberalizohet lëvizja e qytetarëve të Kosovës, e drejtë kjo që normalisht do të duhej t’i takonte të gjithë qytetarëve evropianë, pa i selektuar”, ka shkruar ai tutje.

Në anën tjetër, sot gjatë ditës, Qeveria në detyrë e Kosovës ka mirëpritur deklarimet e dy zyrtarëve për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Qeveria mirëpret kërkesën për rifillimin e dialogut nga Gjermania dhe Franca

www.kallxo.com