Gjermania dhe Franca bëjnë thirrje për rifillim të dialogut Kosovë-Serbi

Në një artikull të përbashkët, ministri i jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian dhe ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, kanë deklaruar se dy vendet janë daktort që të rifilloj dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne jemi të vetëdijshëm për shumësinë e çështjeve të hapura që duhet të zgjidhen para se të arrihet një marrëveshje. Nuk ka rrugë të shkurtër apo zgjidhje të shpejta. Një qasje serioze kërkon negociata të strukturuara mirë, të thella, me BE-në si ndërmjetës luajal. Nevojitet një ndërmjetësim më solid dhe vendosmëri politike – gjë që mund ta prisni nga Miroslav Lajçak dhe ekipi i tij – me mbështetjen nga ana e përfaqësuesit të lartë Borrell, si dhe atë të Berlinit dhe Parisit”, thuhet mes tjerash në artikullin e dy diplomatëve.

Ata, kanë vlerësuar heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe dhe Bosnje Hercegovinës ndërkohë kanë pritë që edhe Serbia të reflektoj.

“Ne gjithashtu përshëndesim vendimin e kryeministrit Kurti për të pezulluar taksën 100 % ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë- Hercegovinës. E, nga ana tjetër, presim që Serbia të kryejë pjesën e saj të përpjekjeve. Krahas kësaj ne presim që të gjejnë zbatim të gjitha marrëveshjet e arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës që nga viti 2011”, thuhet tutje në artikull.

KËTU mund ta lexoni të plotë artikullin e dy diplomatëve.