Ish-deputeti i LDK-së: Latifi ka qenë njëri nga ministrat më të pasuksesshëm që ka pasur Kosova
Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifit, i cili dha dorëheqje javën e kaluar, gati një vit pas emërimit të tij në këtë pozitë.
Sipas ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hysenit, ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka qenë një prej ministrave më të pasuksesshëm që ka pasur Kosova.
“Për fat të keq ka me qenë një prej ministrave më të pasuksesshëm që ndonjë herë e ka pasur Kosova dhe kjo ka ndodhur pikërisht ndoshta për shkak të mungesës së përkrahjes” – ka thënë Hyseni.
Ai tutje ka shtuar se në sistemin shëndetësor gjatë kësaj kohe sa ka udhëhequr Latifi ka pasur një sërë problemesh.
“Kemi pasur një sistem shëndetësor ku ka pasur shumë pak realizime të projekteve kapitale, ka pasur mungesa, ikje të mjekëve, ka pasur shumë telashe, ndërkohë që përgjigje për këto nuk ka pasur” – ka thënë tutje ai.
Lidhur me vizitat jashtë vendit, Hyseni ka thënë se ish-ministri Latifi ka bërë vizita që nuk është dashur të bëhen.
“Unë mendoj që ka bërë vizita të cilat nuk është dashur më u bë. 1 vit e shtatë muaj, unë mendoj që nuk ka arritur as për së afërmi ta kuptojë gjendjen e shëndetësisë, për t’iu dhënë përgjigje disa prej problemeve akute” – ka thënë Ekrem Hyseni.
Ai po ashtu ka shtuar edhe disa nga problemet më të cilat përballet sistemi shëndetësor në Kosovë.
Sipas Hysenit, këto probleme ndahen në probleme akute dhe disa probleme që kanë më shumë të bëjnë me strategji.
“Problemet akute janë mungesa ilaçeve, mungesa e aparaturës, lista e pritjes, stafi dhe janë problemet pak më afatgjate që janë sistemi i informimit shëndetësor dhe sistem i sigurimeve që akoma nuk kemi të prezantuar një model” – ka thënë ai.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i kësaj Ministrie gati një vit pas emërimit të tij në këtë pozitë.
Latifi ishte emëruar në krye të Ministrisë së Shëndetësisë më 16 nëntor të vitit të kaluar.
Ai kishte marrë drejtimin e Ministrisë pas dorëheqjes së Arben Vitisë.