Ekrem Hyseni zgjidhet kryetar i LDK-së në Llap, Agim Veliu reagon ashpër

Ekrem Hyseni është zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Podujevë.

Kështu ka njoftuar dega e LDK-së në Podujevë përmes një njoftimi në Facebook.

Sipas njoftimit, Hyseni është zgjedhur me 74 vota për dhe asnjë kundër.

“Me 74 vota pro dhe një abstenim Dr. Ekrem Hyseni zgjidhet kryetar i LDK-së në Podujevë”, thuhet në njoftimin e degës së LDK-së.

Gjatë ditës, për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, ka reaguar edhe ish kryetari I kësaj dege, Agim Veliu.

Veliu ka thënë se kuvendi i sotëm është kundër statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i paligjshëm.

“Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë” ka shkruar Veliu.

Gjithashtu, Veliu në shkrimin e tij ka thënë se ky është proces i shkatërrimit të LDK-së në Podujevë.

“Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së”, ka shtuar më tej Veliu.