Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta - Foto: Facebook/IsaMustafa

Isa Mustafa telefonon Ilir Metën, solidarizohet për gjendjen në Shqipëri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka bërë të ditur se i ka telefonuar presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta që të solidarizohet me qytetarët e Shqipërisë pas tërmetit të sotëm.

Mustafa ka shkruar se i ka uruar që të tejkalohet kjo gjendje me sa më pak viktima njerëzore e materiale.

“I telefonova Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta për ti shprehur dhembjen dhe solidarizimin tonë me shtetin shqiptar dhe me familjet e viktimave të kësaj fatkeqësie. E urova që sa më shpejtë të tejkalohet kjo gjendje me sa më pak viktima njerëzore e materiale dhe për shërim sa më të shpejtë të vëllezërve dhe motrave tona që morën lëndime në këtë fatkeqësi”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social ‘Facebook’, të martën.

Disa tërmetet janë shënuar që nga mëngjesi i sotëm në Shqipëri.

Deri më tani numri i viktimave raportohet se është 15.

KALLXO.com ka raportuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka telefonuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për t’u solidarizuar për tërmetin i cili tronditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit.

Në anën tjetër, kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se e ka telefonuar herët në mëngjes Presidentin shqiptar, Ilir Meta.

Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Shqipëri