Isa Mustafa: Në veri situata tepër e rrezikshme

Ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe ish kryeministri Isa Mustafa po e konsideron tejet serioze dhe të rrezikshme situaten në veri të Kosovës, të krijuar pas vendimit të Ministrisë së Punëvë të Brendshme për mbulimin e targave të veturave të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Mustafa përmes një postimi në facebook ka thënë se krerët më të lartë të shtetit, duhet të jenë në Kosovë dhe jo të dërgojnë mesazhe nga larg.

“Situata në veri të Kosovës është tepër serioze dhe e rrezikshme.  Në një situatë të tillë , Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë. Nuk mund të dërgojnë mësazhe, njëra nga Neë Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse Njësitë Speciale të Policisë të Kosovës të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tanksave të Serbisë. Kjo sjellje është joserioze dhe e pafalshme”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se në këto momente duhet të mbledhet Këshilli i Sigurisë dhe të ndërmerren masat e nevojshme.

“Në momente të tilla do duhej të thirret Këshilli i Sigurisë nga Presidentja e vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme duke u koordinuar me partnerët tanë, SHBA, BE, KFOR-in dhe institucionet relevante në Kosovë”, thuhet në postimin e ish kryetarit të LDK-së.

Krejt çka ndodhi brenda pesë ditëve në veriun e Kosovës