Isa Mustafa flet për mungesën e Vjosa Osmanit në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së
Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, deklaroi sot se nga mediat ka marrë vesh se sot do të mblidhet Kryesia e LDK-së.
Në lidhje me këtë çështje është pyetur edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë.
Mustafa ka deklaruar se Osmani ka dhënë qëndrimet e saj në lidhje me koalicionin me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në dhe partitë e tjera.
“Jo, zonjën Osmani nuk e kemi përjashtuar sepse zonja Osmani e ka dhënë qëndrimin e saj, është deklaruar, mua më ka interesuar deklarimet e tjera se çka mendojnë të tjerët. Qëndrimet e saj i ka dhënë dhe ajo ka qenë edhe kundër mocionit. Gjithashtu ka deklaruar se është kundër një koalicioni të tillë”, tha Mustafa.
Lidhur me takimin e Kryesisë së LDK-së, në të cilin nuk ishte ftuar, Vjosa Osmani foli pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti.
“Jo, jam tërësisht e painformuar. Sapo dëgjova që qenka edhe një takim tjetër sot lidhur me këto përpjekjet, takim në të cilin unë nuk jam ftuar. Kjo nuk është asgjë e re, ka një kohë të gjatë që edhe para se të votohej mocioni, pra ka shumë takime në të cilat unë nuk jam ftuar e nuk jam konsultuar, besoj edhe ju (gazetarët) mund të keni më shumë informata më shumë sesa unë, besoj mund t’i pyesni personat përgjegjës, unë nuk kam qenë pjesë e një vendimmarrje të tillë”, tha Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës.
“Nuk kam diskutuar me askë dhe nuk ka diskutuar me mua askush për këtë temë”, deklaroi ajo pas takimit në kryeministri, të thirrur nga kryeministri Albin Kurti, ku u diskutua për situatën me COVID-19.