IKShPK pranon 5 mijë teste për COVID-19 nga UNDP dhe Qeveria e Luksemburgut

UNDP-ja dhe Qeveria e Luksemburgut i kanë dhuruar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) 5.000 komplete teste për COVID-19.

UNDP ka njoftuar pwrmes komunikatës se kjo është ngarkesa e dytë e testeve për COVID-19, që i dorëzohet IKSHPK-së.

“UNDP u gjendet pranë institucioneve të Kosovës në luftën kundër pandemisë COVID-19. Donacioni i sotëm u bë i mundur përmes kontributit bujar nga qeveria e Luksemburgut përmes LuxDev në Kosovë, të cilën e falënderojmë me gjithë zemër. Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera në Kosovë për t’i mbështetur ata në përmbushjen e nevojave të menjëhershme dhe menaxhimit të efektshëm të krizës,” tha Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së.

Në komunikatë thuhet që marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut përmes Lux Development S.A. kap vlerën e përgjithshme prej 1 milion euro, nga e cila 460.000 do të përdoren për blerjen e deri 20.000 testeve të zbulimit dhe ekstraktimit COVID-19 për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

“Kjo do t’i mundësojë Ministrisë së Shëndetësisë të gjurmojë në mënyrë efikase përhapjen e virusit dhe të lokalizojë pikat kyçe të epidemisë, si bazë për parashikimin dhe planifikimin e strategjisë së kontrollit. Shuma e mbetur e kontributit do të përdoret për ndihmë humanitare për familjet që janë prekur veçanërisht nga COVID-19”, thuhet në komunikatë.

Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë ka pranuar me datën 25 prill, tre mijë teste për COVID-19 nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Këto teste janë dërguar në Departamentin e Mikrobiologjisë Molekulare pranë IKShPK.

“Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë i dhuroi sot 3,000 komplete testimi për zbulimin e COVID-19 Departamentit të Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovës”, kishte njoftuar Ministria e Shëndetësisë.