Paralajmërimi i mjekëve, në Kosovë virusi rrezikon të përhapet

Insitituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka reaguar, pasi dje në Prishtinë në ndarjen e pakove të ndihmave të komunës, janë parë një grumbull qytetarësh.

IKShPK njoftoi se mbrëmë detektuan një rast pozitiv në Prishtinë dhe se sipas tyre duhet brengosur për këtë.

“Kjo situatë si në foto është e pa tolerueshme! Mbrëmë detektuam një rast pozitiv në Prishtinë!
Ky rast nuk është për tu festuar, por për tu brengosur. Kështu ka filluar më 13 mars”, ka thënë IKShPK.

“Një rast i vetëm në Stubëll! Një rast i vetëm në Klinë! Një rast i vetëm ka filluar në Malishevë!. Një rast i vetëm në Dumnicë! Një rast i vetëm në Ëuhan! Një rast i vetëm në Codogno! Krejt janë raste të vetme që kanë arritur në mbi 4.000.000 në botë dhe po vazhdon akoma! Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave”, thuhet më tej.

Sipas Insitutit virusi gjendet akoma në mesin tonë.

“Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.  Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm.
Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave nē vendet publike”, thotë IKShPK.

Po ashtu është bërë thirrje për kujdes, sepse sipas tyre, akoma ekziston rreziku i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.

“Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj! Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, përfundon reagimi i tyre.

Dje në Kosovën është rezultuar vetëm një rast pozitiv që ishte nga Prishtina me COVID-19, kurse janë shëruar 61.

Tani raste aktive që kanë mbetur aktive janë 212.

Në total janë 862 të infektuar, 622 të shëruar dhe 28 viktima.