I akuzuar për keqtrajtim të të burgosurve shqiptarë, Dragisha Milenkoviq nuk ndihet fajtor për akuzën për krime lufte

Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i burgut të Prishtinës dhe Lipjanit gjatë periudhës së luftës në Kosovë, akuzohet se së bashku me tre zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë i kishin keqtrajtuar 16 të burgosur shqiptarë.

Pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës më 26 dhjetor 2023, Milenkoviq ka dalë sot para gjyqit në Gjykatën e Prishtinës, ndërsa tre të dyshuarit e tjerë nuk janë të arritshëm për institucionet e Kosovës.

Gjatë seancës, Milenkoviq nuk e ka pranuar fajësinë se i ka keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurit shqiptarë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Milenkoviq akuzohet për veprat penale – krime lufte kundër popullatës civile dhe – posedim i paautorizuar i armëve.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë e konkretisht nga data 24 maj 1999 – deri më 10 qershor 1999, në burgun e Lipjanit në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë, nga burgu i Dubravës në burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut në të dyja anët dhe të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte, shqelma dhe pas kësaj në mënyrë sistematike i kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale kundër Milenkoviqit.

Milenkoviq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 21 qershor 2023 në Graçanicë, kur edhe i ishte bastisur shtëpia dhe i ishin gjetur municion dhe armë zjarri.

Me këtë rasti, ai dyshohet për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se në shtëpinë e të pandehurit Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, më datë 21.06.2023 në ora 11:00, në Graçanicë, Policia ka gjetur një pistoletë Crvena Zastava 89, me numër serik 117602, dy herë 50 fishekë, dy karikatorë me nga 15 fishekë, një herë gjashtë fishekë, thikë, shufër metalike” – shkruan në aktakuzë.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, se a ndihet fajtor për kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet, Milenkoviq është deklaruar se nuk ndihet fajtor për veprën penale – krime lufte kundër popullatës civile, ndërsa ndihet fajtor për armëmbajtje pa leje.

Për pikën e parë dhe të dytë jo, ndërsa për armëmbajtje po” – ka thënë Milenkoviq.

Isak Shabani, dëshmitar i lëndës dhe njëherit deputet në Kuvendin e Kosovës, e ka vlerësuar si të rëndësishëm fillimin e gjykimit ndaj Milenkoviqit.

“Një ndjenjë e veçantë që ishte shumë e rëndë për mua, kur avokati kërkoi që të lëshohet në arrest shtëpiak, kur e mendoj këtë se në procesin kur jemi arrestu, unë edhe 20 shokë të tjerë, në momentin e arrestimit deri na kanë qitë në gjykim kanë vdekë dy të burgosur politikë – Besnik Restelica edhe Junus Zeneli. Ka pasur tortura që s’mundesh m’i paramendu e me siguri gjatë procesit gjyqësor do t’i dëgjoni” – ka thënë Shabani.

Kurse dëshmitari tjetër, Ekrem Kastrati, njëherit kryetar i Komunës së Malishevës, ka bërë thirrje që kryesit e veprave penale të marrin dënimin e merituar.

“Ka filluar një proces kundër atyre, të cilët na kanë shkaktuar vuajtje jo vetëm neve por edhe familjeve tona njëkohësisht, prandaj unë po shpresoj edhe e dëshiroj që sistemi i drejtësisë këtu në Kosovë do ta thotë fjalën e vet, dhe sigurisht që kryesit e veprave penale ta marrin vendimin e merituar” – është shprehur Kastrati.

Masa e paraburgimit ndaj Milenkoviq vazhdon.