Foto: PSRK
Prokurorja Hajdari: Masakra e Mejës, më e madhja dhe më tragjikja në luftën e Kosovës
Prokurorja Speciale, Drita Hajdari e cila ka hetuar krimet e luftës në rajonin e Rekës së Keqe në Gjakovë, ka thënë se Masakra e Mejës është më e madhja dhe më tragjikja në luftën e Kosovës.
Përmes një konference për media, Hajdari ka thënë se në këtë masakër që ishin të përfshirë ushtria jugosllave, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe paramilitarë, u vranë 370 civilë.
“Viktimat ishin nga fshatrat Rekë e Keqe, që për shumicën e tyre kjo prokurori ka siguruar prova përkatëse. Operacioni përshinte dëbimin e mijëra civilëve nga ai regjion, djegien e shtëpive dhe dërgimin e dhunshëm në Shqipëri. Kemi konstatuar se me siguri është masakra më e madhe dhe më tragjike në Kosovë gjatë luftës. Kjo aktakuzë do të kalojë nëpër shqyrtim gjyqësor” – ka thënë Hajdari.
Ajo ka bërë të ditur se rasti ishte trashëguar nga EULEX, që kishte hapur hetim fillimisht kundër 18 personave, por Prokuroria Speciale më vonë kishte zgjeruar hetimet, duke arritur që t’i përfshijë në aktakuza gjithsej 53 persona, për masakrën e Mejës.
“Aktuakuza është e struktrurar në tri pjesë që përfshinë grupin e 5 të pandehurve që kanë planifikuar masakrën. E dyta përfshinë 11 të pandehur që bashkë me grupin e parë kanë zbatuar planin për masakër. Grupi i tretë me 37 të pandehur përbën ekzekutorët, ata që kanë kryer masakrën ose kanë kontribuar në mënyrë tjetër” – tha prokurorja Drita Hajdari.
Prokurorja Hajdari ka bërë të ditur se këtë lëndë nuk do ta trajtojë më tutje në gjykim si prokurore, për shkak se në dhjetor të këtij viti pensionohet.
Prokuroria Speciale përmes një konference për media ka dhënë informata në lidhje me krimet e luftës në Kosovë.
Kjo prokurori që ka filluar të hetojë krimet e luftës në Kosovë në vitin 2018 ka bërë të ditur se janë 33 aktakuza kundër 89 personave, në lidhje me krimet e luftës në Kosovë.
Prokuroria Speciale: Kemi ngritur 33 aktakuza kundër 89 persona për krime të luftës në Kosovë