Hykmete Bajrami, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Hykmete Bajrami shkarkon anëtarët e KD të UP-së që i emëroi Shyqiri Bytyqi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami sot ka shkarkuar 3 anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, që ishin emëruar gjatë mandatit të ish-ministrit, Shyqiri Bytyqi.

Anëtarët e shkarkuar janë: Ujkan Bajra, Drita Shoshi dhe Fadil Osmani.

Kurse, këta janë zëvendësuar me tre anëtarë të rinj: Muharrem Bajrami, Fisnik Reçica, Mentor Geci.

Ministria në vendimin e saj nuk ka treguar arsyet e shkarkimit dhe zëvendësimit të anëtarëve të KD-së.

Kurse, kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra, tha për KALLXO.com, që nuk kanë pranuar ndonjë arsye për shkarkim.

“Nuk kemi informacione pse jem shkarkuar, e ka shfuqizuar vendimin me të cilin jemi emëruar. Arsye nuk kemi e as nuk kemi njoftuar pse ka marrë vendim të tillë, pasi që nuk na ka njoftuar asnjëherë”, tha Bajra për KALLXO.com.

Bytyqi e kishte emëruar Drita Shoshin dhe Fadil Osmanin më 7 shkurt të vitit 2018, kurse Ujkan Bajra më 5 prill të vitit 2019.

KALLXO.com raportoi më herët për emërimin e anëtarëve të rinj të KD-së. Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se vendimi është marrë me qëllim të funksionalizimit të Këshillit Drejtues të UP-së.

Ish-kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së mbante pozitë me konflikt interesi

Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit.

Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Këshilli Drejtues, kolektivisht, i raporton Ministrisë, dhe është përgjegjës për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që Ministria ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë Universitetit.

Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa Senati zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i Universitetit.