Ish-kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së mbante pozitë me konflikt interesi

Agjencia Kundër Korrupsionit ka mbyllur rastin ndaj Ardiana Bunjakut, ish-Kryesuese e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Bunjaku sipas këtij vendimi për kohën sa ka mbajtur pozitën në UP ka qenë në konflikt interesi.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e AKK-së që thotë se rasti ka filluar të trajtohet pas informacioneve dhe kërkesës nga një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës.

Agjencia kishte verifikuar se Bunjaku përveq pozitës në UP ishte edhe Drejtoreshë Ekzekutive në Shoqatën e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, anëtare e Bordit në NLB Banka dhe anëtare e Komisionit të Auditimit dhe Riskut, NLB Banka.

Agjencia thotë se sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e Funksionit Publik kjo situatë paraqet konflikt të interesit.

Sipas vendimit, kjo situatë u evitua me dorëheqjen e saj nga pozita në UP.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me hapjen e rastit në AKK për Bunjakun.

Vetë Bunjaku nuk ka komentuar lidhur me këtë çështje.

Po ashtu, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit nuk janë përgjigjur lidhur me këtë çështje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Bunjaku ishte emëruar në Këshillin Drejtues të UP-së nga Ministria e Arsimit, në shkurt të vitit 2018.

 

https://kallxo.com/ish-kryesuesja-e-keshillit-drejtues-ne-up-rast-te-hapur-ne-agjencine-kunder-korrupsion/