Viktor Orban - Foto: REL/EPA-EFE

Hungaria nuk do ta bllokojë asnjë sanksion kundër Rusisë

Hungaria do t’i mbështesë të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe nuk do ta bllokojë asnjë masë ndëshkuese kundër Moskës, ka delaruar kryeministri hungarez, Viktor Orban.

“Hungaria e bëri të qartë se ne i mbështesim të gjitha sanksionet, kështu që nuk do të bllokojmë asgjë, kështu që atë që … [udhëheqësit] e BE-së janë në gjendje të bien dakord, ne e pranojmë dhe e mbështesim atë”, u tha Orban gazetarëve në anglisht në kufirin ukrainaso-hungarez.

“Tani është koha për të qenë të bashkuar, është një luftë”, shtoi ai.

Qeveria e djathtë, nacionaliste e Orbanit ka qenë në kundërshtim me BE-në vitet e fundit për një sërë çështjesh.

Sot, është dita e tretë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse/Al Jazeera