Hoxhaj: Qeveria Kurti dhe Hoti, qeveritë më të dobëta në 20 vitet e fundit

U.D kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në një konferencë për media tha se kjo parti e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit për zgjedhjen e qeverisë Hoti dhe janë të gatshëm për zgjedhje.

Sipas tij, ky vendim ka qenë i pritur sepse Kosova ka qenë në një krizë politike që nga zgjedhjet e 6 tetorit.

“PDK mirëpret vendimin e Kushtetueses që i hap rrugë zgjedhjeve të reja dhje të parakohshme mendojmë se një vendimi tillë ka qenë i pritur për shkak të krizës politike prej 6 tetorit deri në vitin 2019”, tha Hoxhaj.

Ai theksoi se qytetarët e vendit për 14 muaj përjetuan zhgënjim dhe shpresë e premtime të pa mbajtura nga ana e dy qeverive, asaj të Kurtit dhe Hotit.

“Ajo se çka ka ndodhur në muajt e fundit është degradimi më i madh institucional që ka pas vendi në 20 vitet e fundit dhe të dytë qeveritë janë qeveritë më të dobëta që kanë qenë në historinë demokracisë tonë të re”, tha Hoxhaj më tej.

Dje, Gjykata Kushtetuese ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.

Ndërsa sot, U.D. Presidentja e Kosovës,  Vjosa Osmani ka filluar sot konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit për zgjedhjen e qeverisë Hoti.