Enver Hoxhaj, Foto: PDK

Hoxhaj kërkoi qëndrim nga Osmani e Kurti për marrëveshjen e Asociacionit

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka deklaruar, se në takimin e sotëm me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti dhe me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, kanë folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Hoxhaj në një konferencë për media mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës, tha se nga Kurti e Osmani ka kërkuar të dijë qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. A do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?”, tha ai.

Hoxhaj ka përmendur edhe qëndrimet e mëparshme të tyre për këtë temë.

“Kanë thënë se do ta anulojnë marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe”, theksoi ai para gazetarëve.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, është njëra prej pikave “më të nxehta” të diskutimit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Pala serbe po kërkon që ky Asociacion të formohet sipas marrëveshjes së arritur 6 vjet më parë, përkundër që pika të caktuara të saj ishin cilësuar kundër kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.